Fjalë Kyçe

“Qeveria do skuqet kur sheh realitetin e të punësuarve në arsim”, Jasharaj flet për vendimin e deklarimit të pasurisë

“Qeveria do skuqet kur sheh realitetin e të punësuarve në arsim”, Jasharaj flet për vendimin e deklarimit të pasurisë

Mjekët e profesorët të cilët punojnë në institucione publike, tashmë do të futen në kategorinë e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë.

Kjo kërkesa e zëvendësiministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, u miratua në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kërkesa e Sallahut u miratua me shumicë votash nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat të pranishëm në mbledhje.

Një gjë të tillë, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, po e cilëson si “të ngutur”.

Jasharaj në një prononcim për Reporteri.net theksoi se nesër do të mblidhet me kryetarin e Kuvendit të Sindikatave që është pjesë e SBASHK-ut për të diskutuar për këtë çështje.

“Ajo çka kuptova unë nga mediat e nderuara, e pashë se tani për tani është fjala për profesorët e nderuar univerisitarë dhe besoj që ata vetë do të deklarohen dhe më mirë se gjithkush e dinë se çfarë do të thonë. Unë nesër do të bëj një komunikimim me kryetarin e Kuvendit të Sindikatave që është pjesë e SBASHK-ut dhe pastaj do të ulemi dhe do të bisedojmë dhe do ta bëjmë një shkresë, një qëndrim që të jetë i përbashkët, duke mos u ngutur që të themi diçka, por sidoqoftë unë po them që nuk është e drejtë kjo mbase janë ngutur me këtë çështje sepse duhet ditur çfare është tretmani i këtyre punëtorëve, gjegjësisht i profesorëve të nderum, a janë shërbyes civilë apo janë diçka tjetër”, tha ai.

Kreu i SBASHK-ut potencoi se ata që kanë pasuri, e kanë fituar me djersë dhe sipas tij, Qeveria do të ndihej e “skuqur” duke parë realitetin që jetojnë profesorët. Ai madje ftoi Qeverinë që obligimin e deklarimit ta pasurisë ta bëjnë për tërë sistemin arsimor, duke filluar nga çerdhet e deri të universitetet.

“Nëse kështu ka filluar Qeveria, pse jo ta bëj për tërë sistemin arsimor nga çerdhet e deri në univeresitete. Ata që kanë pasuri dhe jam i sigurt, që shumica apsolute edhe e dinë prejardhjen dhe kanë fituar me djersë. Dhe po them që do të ishte mirë që këtë ta bëjnë edhe këtë obligim që të paraqitet pasuria për tërë sistemin arsimor pse jo që nga çerdhet e deri në univeristet dhe pastaj besoj do të ndihej i skuqur duke parë realitetin në të cilin jetojnë të gjithë të punësuarit që nga çerdhet e në tërë arsimin parauniverisitar”, tha Jasharaj për Reporteri.net.

Sipas tij, shumica e profesorëve janë në kredi duke u munduar të blejnë mobilje të reja, apo të renovojnë diçka, andaj siç thotë ai, Qeveria do të ndihej keq për situatën që e kanë shumica e punëtorëve në arsim.

“Kanë paga të tilla që janë nën mesataren e pagave në Kosovë dhe ata njerëz shumica prej tyre, sepse kontaktoj vazhdimisht me ta, janë në kredi, sepse këtë gjë janë të obliguar ta bëjnë qoftë duke u munduar të renovojnë diçka, ndonjë mobilje të re, dhe shumica janë në kredi dhe pastaj do ta shihte realitetin, madje do të ndihej keq për situatën që e kanë shumica e të punsuarve në arsim”.

Jasharaj dha edhe një porosi për Qeverinë.

“Masi ja kanë nis me arsimin le të ja nisin me tërë arsimin dhe uroj që kjo të mos jetë një tendencë për të bërë presion sepse cila do tendenca të Qeverisë që i merr, SBASHK-ut nuk do t’i mbyllet goja”, tha Jasharaj për Reporteri.net.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Punëtorëve Shëndetësor të Kosovës, Blerim Syla ka thënë se shpreson që ky vendim nuk është marrë me tendencë ndaj tyre. Syla theksoi se do të jetë transparent dhe do ta deklarojë pasurinë kur kjo të rregullohet me Ligj.

“Nëse është me hy në Ligj, në rregull. Unë nuk jam kundër që të ndodhë kjo që po deklarojnë, por jam kundër që ka një tendencë tjetër këtu. Po e shoh si një tendencë e që tek e fundit nuk kemi se çfarë me mshefë, as mjekët e as profesorët. Nëse kjo keqpërdoret nga politika atëherë lë shumë për të dëshiruar”, ka thënë ai për mediat lokale.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, u miratua kërkesa Ministrisë së Drejtësisë që në listën e zyrtarëve publik që deklarojnë pasurinë, të hyjnë në këtë mes edhe mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike.

“Me këtë projektligj përmbyllet pako anti-korrupsion. Ky projektligj mundëson deklarimin e pasurisë online. Të dhënat do të jenë lehtësisht të regjistrueshme edhe në institucionet e tjera. Është bërë kategorizim i ri i zyrtarëve për deklarim të pasurisë. Në kategorinë e zyrtarëve publik janë shtuar mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike”, ka thënë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend.