Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin, premton se do të aplikojë zbatimin e shtesave për fëmijë, gjithashtu, edhe kthimet tatimore.
Kjo bëhet e ditur në programin 45-faqësh të Qeverisë Kurti, që sot e ka siguruar Koha.
Aty theksohet se familjet që kanë fëmijë deri në moshën 2 vjeçare (24 muajt e parë) do të marrin nga 20 euro në muaj, pastaj, deri në moshën 16 vjeçare do të marrin nga 10 euro në muaj.
Në programin qeverisës për periudhën 2020-2023, përmendet edhe mënyra për kthimet tatimore, raporton Koha.
Kthimet tatimore – familjet me fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, do të rimbursohen në këtë mënyrë:
150 euro në vit për familjet me të ardhura vjetore nën 5000 euro
100 euro në vit për familjet me të ardhura vjetore deri në 6000 euro
50 euro në vit për familjet me të ardhura vjetore deri në 7000 euro
Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës, në nëntor të vitit 2018, me qeverisjen e kaluar, kishte miratuar rezolutën e harmonizuar nga grupet parlamentare për shtesat e fëmijëve. Megjithatë, ndonëse ishte premtuar që ndarja të fillojë gjatë vitit 2019, nuk ndodhi.