Fjalë Kyçe

Qeveria tregon se kur do të emërohet ministri i ri i Bujqësisë

Qeveria tregon se kur do të emërohet ministri i ri i Bujqësisë

Ani pse është shkarkuar të shtunën në mëngjes, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Nenad Rikalo, vazhdon të figurojë si ministër i këtij dikasteri në ueb faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, dhe atë të Ministrisë së Bujqësisë.

Rikalo, është shkarkuar nga ky post me kërkesë të Partisë Socialdemokrate si njërin ndër kushtet për ta votuar buxhetin e vitit 2019, shkruan Gazeta Alo.

Që, nga e shtuna Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vazhdon të jetë pa udhëheqës.

E, pikërisht në ditën kur u shkarkua Rikallo në media është raportuar që vendin e tij do ta zë nënkryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS) dhe zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovë, Boban Stankovic.

Gazeta Alo, ka kërkuar përgjigje në Qeverinë e Kosovës se kur do të emërohet ministri i ri i Bujqësisë dhe se a pritet që përsëri ky i fundit të jetë nga Lista Serbe, por në Qeveri nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë.

“Do të emërohet në ditët në vijim. Kurdo që do të ndodhë do të ju lajmërojmë me kohë”, ka thënë për Gazetën Alo zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka shkarkuar ministrin Nenad Rikallo, më 2 shkurt duke nxjerr vendimin në bazë të nenit 94 (paragrafi 1 dhe 4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 6 (paragrafi 4.1), të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive (Gazeta Zyrtare, Nr. 1, 18 prill 2011), e ndryshuar dhe e plotësuar me Rregulloren 14/2017, Rregulloren 15/2017, Rregulloren 16/2017 si dhe Rregulloren 07/2018./Gazeta Alo/