Nisma e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, e iniciuar nga kryetari Agim Bahtiri, po shihet si dëshirë e secilit shqiptar në këtë qytet.
Sipas tyre, ndonëse bashkimi i qytetit është çështje shumë komplekse, nuk është e pamundur, por do kohë.
Zenel Ibrahimi, qytetar nga Mitrovica, shprehet skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë menjëherë, mirëpo në një të ardhme thotë se është e mundur.
Sipas tij, dëshira e kryetarit Bahtiri është e madhe për ta bashkuar qytetin, por çështja është komplekse.
“Çështja e bashkimit të Mitrovicës është çështje shumë komplekse dhe personalisht mendoj se është shumë vështirë. Ndoshta për një kohë më të gjatë sepse për momentin jam skeptik”, ka thënë Ibrahimi.
E Hakif Zeqiri, ka bërë të ditur se bashkimi i Mitrovicës varet nga shumë faktorë, në rend të parë nga faktori ndërkombëtar.
Ai ka potencuar se nëse faktori ndërkombëtar arrin t’i unifikojë liderët politikë shqiptarë e serbë, atëherë bashkimi i qytetit është i thjeshtë.
“Dëshirë e çdo shqiptari është që të bashkohet Mitrovica, sepse ka qenë e bashkuar. Edhe bota po shkon në rrugë që të bashkohet, atëherë pse të mos bashkohet edhe Mitrovica. A do të bashkohet apo jo, mendoj se ndikojnë shumë faktorë”, tha Zeqiri.
Ndërkaq, Nazmi Ismajli, ka përjashtuar faktorin ndërkombëtar, duke thënë se ky është problem mes dy komunave dhe nëse ato bashkëpunojnë ngushtë mes vete në këtë drejtim, marrëveshja mund të arrihet më shpejt.
Ai u shpreh skeptik sa i përket deklaratave të kryetarit Bahtiri për bashkimin e qytetit.
Ndryshe, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka përsëritur mendimin e tij se bashkimi i qytetit të Mitrovicës do të ndodhë këtë vit, dhe atë duke përfshirë edhe fshatrat shqiptare që ndodhen në zona të thella të komunës së Leposaviqit.