Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e ka ftuar sot kryetarin e Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, që bashkërisht në Kuvendin e Kosovës të dërgojnë iniciativën që siç tha ai, “të marrin vendimin për anulimin e pavarësisë së Kosovës dhe integrim in e Kosovës në përbërje të Serbisë”, transmeton Koha.net.
Ky ka qenë reagimi që Rakiq ia ka bërë Agim Bahtirit i cili sot presidentit të Kosovës Hashim Thaçi ia dorëzoi peticionin me nënshkrimin e qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës.
“Nëse Bahtiri ka vendosur se bashkimi i popullit serb dhe i popullit shqiptar është zgjidhja më e mirë, e ftoj që bashkërisht ta dërgojmë iniciativën në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendimin për anulimin e Deklaratës për Pavarësi të Kosovës dhe për integrimin e Kosovës në përbërje të Serbisë“, ka thënë Rakiq, thotë kumtesa e Listës Serbe që e përcjell “danas”.
Ai ka vlerësuar se me këtë veprim “të gjithë në këto hapësira do të fitonin edhe perspektivë ekonomike edhe liberalizim vizash me pasaporta serbe, por edhe institucione të afta, para së gjitha në shëndetësi arsim, mbrojte sociale, çfarë përfaqësuesit shqiptarë tash e 20 vjet, përkundër ndihmës ndërkombëtare, kurrë nuk ia dolën t’i bëjnë“.