Fjalë Kyçe

Rama: Nëse Kosova nuk do ta përjashtonte propozimin tim për Asociacionin, do kishte rezultat më të mirë – tani e kanë kuptuar

Rama: Nëse Kosova nuk do ta përjashtonte propozimin tim për Asociacionin, do kishte rezultat më të mirë – tani e kanë kuptuar

Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, duke cilësuar se Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e duhur.

I ftuar në A2 CNN, Rama tha se Kosova do të duhet t’ia imponojnë Serbisë njohjen e Kosovës, vetëm duke u ulur në tryezë.

“Nuk kam pasur iluzione për asnjë, nga këto aktorët publik që i njoh, nuk kam qëndrime për të modifikuar, të kthehesha pas, do i bëja sërish, nuk jam i kushtëzuar në qëndrimet e mia, kur ndodh diçka si në Banjskë mbajta qëndrimin e duhur, nuk duhet të jemi linear, por fleksibël në përpjekje për ta çuar kauzën aty ku duhet, dhe kjo arrihet vetëm të mundin Serbinë në tryezë, ta imponojmë në tryezë njohjen e Kosovës.

Ai tha se nëse Kosova do të pranonte propozimin e tij për Asociacionit, do kishte rezultate më të mira.

Ai tregoi se draft-statuti i tij, është në një masë të madhe si ai i ndërkombëtarëve.

“Përkundrazi, tani që është bërë fakt publik propozimi që kam bërë unë për Asociacionin, e kanë parë dhe e kanë kuptuar që do të kishte qenë shumë më e udhës të mos ta kishin përjashtuar kategorikisht, por ta kishin marrë, ta kishin lexuar, se do kishin dalë në një rezultat edhe më të mirë se ky që prapë është rezultat i mirë, propozimi zyrtar, ku një pjesë shumë e madhe është e njëjta gjë si propozimi i bërë nga unë dhe i referohet në propozimin zyrtar. Kështu që, unë… më vjen keq, por përkundrazi”, tha Rama mbrëmë Rama.

Kryeministri shqiptar pohoi se propozimi i tij ka kontribuar në propozimin e ndërkombëtarëve.

“Nuk e them unë, e thonë ata. Madje në dy-tri elementë do të ishte më pozitive të ishte drafti im”, theksoi ai.

Rama tha se s’ka pasur probleme personale me Kurtin, por që mosmarrëveshjet mes tyre kanë qenë “vetëm çështje e problematikës”.

“Unë s’kam pasë asnjëherë problem. Unë për veten time, them ato që bëj dhe bëj ato që them. Nuk pretendoj se kam të drejtë me çdo kusht, por nga ana tjetër, nuk ndërroj qëndrim kur kam bindjen që ky është qëndrimi, edhe sikur çka të bëhet. Dhe më vjen mirë që për shkak se nuk e di në çfarë mënyre drafti i Asociacionit i propozuar nga unë, por jo i shkruar nga unë, por nga një grup ekspertësh të nivelit më të lartë ndërkombëtar u bë publik dhe u pa qartësisht që është një draft pozitiv shumë për Kosovën”, tha Rama.

I pyetur se pse s’e kishte diskutuar me Kurtin paraprakisht propozimin e tij, Rama tha se nuk mund ta bënte.

“Nuk mund ta bëja këtë gjë dhe e kam shpjeguar pse. Por, edhe drafti që është propozuar është një draft shumë i mirë dhe unë shpresoj që ata ta mbështesin, ta marrin, ta aprovojnë dhe pastaj ta lënë topin në fushën e Serbisë dhe të mos rrinë ta mbajnë vetë, siç gabimisht bënë për një periudhë të gjatë duke marrë mbi vete shumë presione dhe shumë pakënaqësi”, tha ai.

Për draftin e Asociacionit të propozuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama pati reagime të shumta në Prishtinë e Tiranë.

Inkuadrimi i Edi Ramës në çështjen delikate të Asociacionit nuk u prit mirë as nga pozita, e as nga opozita.

Nga Qeveria e Kosovës, deklaruan se se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.

Në anën tjetër nga Bashkimin Evropian e cilësuan si “tekst serioz“.