Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në konferencë për media me drejtorin e Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme sa i përket mbeturinave në kryeqytet.
Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, Rama ka thënë se janë angazhuar kompani private për menaxhim të mbeturinave pasi kompania “Pastrimi”, sipas tij nuk ka kapacitet ta kryejë menaxhimin e tyre e vetme.
“Kemi angazhuar kompani private për menaxhim sepse “Pastrimi” s’ka pas kapacitet ta bëjë menaxhimin e mbeturinave. Prej që ka ardhur, (Bekim v.j.) Brestovci gjendja është përmirësuar. Por, dikujt si duket i ka penguar, LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallë do ta vazhdojmë edhe tash”, ka thënë ai.
Javë më parë pati grevë nga ana e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, gjë që ka shkaktuar mbushjen e lagjeve të ndryshme të Prishtinës me mbeturina.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se me këtë gjendje janë dërguar sinjale politike. Sipas tij, opozita në Kuvendin komunal, LVV-ja dhe PDK-ja kanë marrë vendime që bien ndesh me ligjin.
Për gjendjen e krijuar, në Komunën e Prishtinës patën fajësuar bojkotin që punëtorët e ndërmarrjes e ndërmorën për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeshefit të “Pastrimit”.
Lidhur me angazhimin e privatëve në pastrimin e Prishtinës, punëtorët e “Pastrimit” kanë protestuar gjatë muajit nëntor. Me anë të kësaj proteste, rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes patën shprehur drojën se mund të mbesin pa punë.