Edi Rama as që e ka ndërmend të largohet nga karrigia.
Të paktën ky është qëndrimi i vetë kryeministrit, i cili i pyetur gjatë një interviste në Corriere della Sera, është shprehur se ai nuk e çon ndërmend largimin e tij për hir të opozitës.
Rama është pyetur për idenë e hedhur në tavolinë tashmë nga opozita, se Shqipëria do duhet të hyjë në zgjedhje të parakohshme fill pas ardhjes në pushtet të një qeverie tranzitore, e cila do të mund të garantojë lirinë e votës.
Por sipas kryeministrit, një skenar i tillë nuk do të ndodhë.
“As nuk e çoj ndërmend (dorëheqjen). Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë në Parlament dhe në fund unë kam detyrimin përballë bashkëkombësve të mi. Nuk jam i detyruar të ndjek kërkesat e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar,që na ka dhënë votën për të qeverisur”, deklaroi Rama.
Në lidhje me elementet e dhunës gjatë protestës së opozitës dhe numrin e lartë të qytetarëve që morën pjesë, Rama shprehet me doza ironie duke thënë se në shesh nuk ishte populli shqiptar, por një grup demokratësh që të vetmin qëllim që arritën, ishte vetëm shkatërrimi i veprës së artit stacionuar në oborrin e kryeministrisë (kërpudha).
“E vetmja gjë që bëri protesta e të shtunës ishte sjellja e një imazhi negativ për Shqipërinë, me një dhunë absurde por me një rezultat zhgënjyes. E vetmja gjë konkrete që ndodhi ishte prishja e një vepre arti, kërpudha që kisha instaluar në oborrin e kryeministrisë”, ka thënë Rama, transmetojnë mediat shqiptare.