Fjalë Kyçe

Rashiq: Shpërthimi në Postën e Zveçanit i motivuar politikisht, s’është vepër e një qytetari të zakonshëm

Rashiq: Shpërthimi në Postën e Zveçanit i motivuar politikisht, s’është vepër e një qytetari të zakonshëm

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë teknike të Kosovës, Nenad Rashiq, beson se pas shpërthimit në objektin e Postës në Zveçan qëndrojnë elementë destruktivë me motive politike, të cilët synojnë të mbajnë tensionet në veri të vendit.

“Edhe më parë ka pasur raste kur incidente të tilla janë organizuar me qëllim, vetëm që të vazhdojë narrativa për mosintegrimin e veriut,” tha Rashiq për RTV Kim.

Ai theksoi se ekzistojnë disa faktorë që mbështesin veprime të tilla dhe se largimi i serbëve nga institucionet, veçanërisht nga policia para më shumë se dy vitesh, ka krijuar një boshllëk institucional.

“Sikur të kishim zyrtarë policorë sipas strukturës demografike, siç kërkon ligji, këto vepra do të ishin më të rralla. Do të kishim njerëz nga komuniteti lokal që do të mund të udhëhiqnin më mirë hetimet,” shtoi ai.

I pyetur nëse shpërthimi është reagim ndaj mbylljes së Bankës së Postës Serbe dhe hapjes së Postës së Kosovës, Rashiq tha se kjo ide është absurde.

“Nuk mund të besohet se një qytetar i zakonshëm reagon me hedhje bombash. Ky është një akt i organizuar, jo diçka spontane nga një individ i pakënaqur,” theksoi Rashiq.