Fjalë Kyçe

Rekord infektimesh në Europë/ Masa të reja kufizuese në të gjithë kontinentin

Rekord infektimesh në Europë/ Masa të reja kufizuese në të gjithë kontinentin

Evropa e sheh veten gjithnjë e më shumë të mbërthyer në morsën e koronavirusit, me shifra rekord rastesh pozitive të raportuara çdo ditë dhe me kufizime të reja të ndërmarra nga qeveritë.

Britania e madhe ka regjistruar 23012 raste të reja në 24 orët e shkuara. Gjermania ka kapërcyer ndërkohë shifrën e 10 mijë viktimave në total. Kancelarja Angela Merkel i kërkoi ndërkohë gjermanëve të reduktonin kontaktet dhe të takonin sa më pak njerëz që të ishte e mundur. Rekord infektimesh është shënuar edhe në Francë me 45422 raste të reja.

Spanja po përgatitet të dekretojë një gjendje të re alarmi që në fillim të javës mund të hapë rrugën për një ndalim qarkullimi në shkallë kombëtare pas atyre të vendosura në disa rajone, mes të cilëve Madridi. Belgjika ka shënuar një rekord të ri prej më shumë se 15 mijë rastesh në një ditë dhe Brukseli është nën ndalim qarkullimi nga ora 22 deri në 6 të mëngjesit.

Është rikthyer edhe maska me detyrimi kudo dhe nga e hëna do të mbyllen sallat e spektakleve, teatrot, kinematë dhe pallatet e sportit. Në bullgari, kryeqyteti Sofje do të mbyllë lokalet dhe diskotekat për dy javë. Polonia ku ka rezultuar pozitiv edhe presidenti Andrzej Duda, ka hyrë në një regjim gjysmë izolimi me mbylljen e restoranteve dhe shkollave nga klasa e katërt deri në të tetën, ashtu siç ishte bërë më herët për shkollat e mesme dhe të larta.

Ndërkohë, republika ceke konfirmohet një prej vatrave më të nxehta në Evropë me mbi 15 mijë të infektuar dhe 126 viktima në një ditë, shifra shokuese këto nëse mendohet se vendi ka të njëjtin numër banorësh me Lombardinë, në Itali, pak më shumë se 10 milionë. Rekorde të reja janë shënuar edhe në Ballkan, në Bosnje, Serbi dhe Kroaci.