Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, sot, ka miratuar rezolutën për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Presidentja, përmes një postimi në platformën “X”, tha se “Ne do të kujtojmë! Më 11 korrik dhe çdo ditë!”.
“Me themelimin e sotëm nga AP e KB-së të Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, bota po u jep brezave të ardhshëm një shans për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica”, tha Osmani.
E para e shtetit tha se njohja është një hap kyç drejt pajtimit dhe luftimit të mohimit të gjenocidit.
“Është thelbësore për shërimin dhe paqen e qëndrueshme, për t’u ofruar paqe nënave të Srebrenicës dhe të gjithë anëtarëve të mbijetuar të familjes, duke siguruar që të dashurit e tyre të mos harrohen kurrë”, ka shkruar presidentja.
Osmani tha se “Për ata që punuan pa u lodhur kundër Rezolutës së sotme: mohimi i gjenocidit nuk do të hapë kurrë rrugën drejt paqes”.
“Zërat e atyre që i duruan këto tmerre kur ishin fëmijë na kujtojnë se dhënia fund e mohimit të gjenocidit nuk është thjesht një detyrim politik dhe ligjor, por një detyrë morale kolektive. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar në luftën për të vërtetën dhe drejtësinë. Le të udhëhiqemi nga përkujtimi i fortë në fjalët e fëmijës së pafajshëm që pyet nënën e tij: ‘Nënë, ushtarët i vrasin fëmijët me plumba të vegjël, apo jo?’”, ka shkruar presidentja Osmani.