Fjalë Kyçe

Rigjykimi për vrasjen e shokut për borxh, e dëmtuara thotë se s’ka nënshkrim të bashkëshortit të saj në letrën e borxhit të dhuruar

Rigjykimi për vrasjen e shokut për borxh, e dëmtuara thotë se s’ka nënshkrim të bashkëshortit të saj në letrën e borxhit të dhuruar

Në seancën e rishqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Kreshnik Haliti për vrasjen e shokut të tij Mentor Zekaj, e dëmtuara Mirjeta Zekaj deklaroi se në fletën ku ishte shkruar që t’i jepet borxhi të akuzuarit, nuk ka nënshkrim të bashkëshortit të saj tani të ndjerit Zekaj.

Këtë deklarim, e dëmtuara Mirjeta Zekaj e bëri të martën, në vazhdimin e dëgjimit të saj në cilësinë e dëshmitares, pas shikimit të përsëritshëm të asaj letre.

Fillimisht, në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Haliti, avokatit Besnik Berisha, Zekaj tha se pas një viti nga ngjarja e ditës kritike, ajo kishte marrë kredi nga biznesi “Erijoni”.

Kurse, lidhur me arsyen se pse e kishte marrë atë kredi, ajo refuzoi të përgjigjet me arsyetimin se ishte përgjigjur disa herë.

Më pas, e dëmtuara është pyetur se kur ia kishte dhënë pjesën prej 48 mijë euro Agim Trakaniqit.

Por, këtë pyetje e kundërshtoi prokurorja Lumturije Vuçetaj pasi sipas saj, e njëjta ishte konsumuar. Megjithatë, gjykata e lejoi atë, e ku Zekaj tha se nuk përgjigjet më as me po as me jo, sepse sipas saj e ka marrë kredinë dhe atë e kishte sqaruar.

Më pas, mbrojtja e pyeti se a është e saktë që sipas provës së dorëzuar për kartelën e qarkullimit mbi transaksionin bankar, tregohet se asnjë cent i vetëm nuk ka kaluar tek Agim Trakaniqi.

Zekaj tha se nuk i kujtohet dhe se të gjitha janë tek xhirollogaria, ashtu si i gjen ai, duke iu drejtuar avokatit.

Tutje, dëshmitarja deklaroi se ajo i ka sjellë provat që rezultojnë se paratë për shtëpinë e blerë nga Agim Trakaniqi ia kishte bartur bashkëshortes së tij Lirije Trakaniqi.

Për këtë, prokurorja ia prezantoi përsëri deponimet përmes “NLB Bank”, që iu kanë bërë Lirije Trakaniqit.

Në ato transaksione, thuhej se më 2 dhjetor 2016, pasqyrohet fletëdeponimi në emër të Lirije Trakaniqit, në shumë prej 80 mijë euro, deponimi ishte bërë në emër të Driton Zekës, pagesa për shtëpi, deponimi tjetër ishte i 12 prillit 2017, ku është këtu dëshmitarja e dëmtuara Mirjeta Zekaj në emër të Lirije Trakaniqit kishte deponuar shumën prej 5 mijë euro, më 10 mars 2018, po ashtu e dëmtuara nga llogaria e saj ka deponuar në emër të Lirije Trakaniqit shumën për pagesën e pjesshme sipas kontratës së shitblerjes për paluajtshmëri, prej 20 mijë euro me destinimin e cekur.

Mbrojtja më pas kërkoi nga trupi gjykues që vetëm të konstatohet se kredia është marrë më 3 prill 2018.

Sipas avokatit Berisha, nga provat që u lexuan, shuma prej 80 mijë eurove rezulton se nuk i është dhënë Kreshnik Halitajt, por është deponuar në xhirollogarinë e Lirije Trakaniqit, gjë që pretendohet se iu është dhënë Kreshikut.

Por, dëshmitarja Zekaj theksoi se nuk janë këto të holla që kanë të bëjnë me rastin, ngase sipas saj ato nuk kanë të bëjnë me Kreshnik Halitin.

Pas pyetjeve lidhur me kontratën apo ndonjë shënim tjetër lidhur me borxhin e Kreshnikut, ajo deklaroi se e kishte sqaruar më herët dhe se nuk i kujtohet më.

Avokati Berisha, me lejen e gjykatës i prezantoi një letër që ishte shënuar lidhur me atë borxh, e që sipas deklaratës së dëshmitares e njëjta e kishte mbajtur në kuletë të njëjtën për 3-4 ditë pasi që i kishte kërkuar bashkëshorti i saj.

Më pas, lidhur me atë letër, pas shikimit të saj, e njëjta thotë se nuk ekziston nënshkrimi i tani të ndjerit Mentor në atë fletë.

Lidhur me kohën kur ishte nënshkruar ajo letër, e njëjta thotë se nuk kishte qenë prezente, kishte qenë në shtëpi por nuk i kishte shikuar, as viktimën me të akuzuarin, e as letrën të cilën e kishte mbajtur në kuletë.

Më pas, avokati Berisha iu drejtua duke thënë që sipas deklarimit të saj, në atë letër kanë qenë nënshkrimet e të dyve, Mentorit dhe Kreshnikut, ndërsa sot në shikim ajo konstatoi se nënshkrimi i Mentorit nuk ekziston.

Për këtë, avokati pyeti se a ka mundësi që ka pasur letër tjetër të cilën e dëmtuara e ka quajtur kontratë me dy nënshkrime, por e njëjta e mohoi një gjë të tillë.

“Nuk e di se çfarë kam thënë se atëherë, nuk kam qenë vetvetja dhe ende nuk jam, nuk më kujtohet letra ka qenë tek unë dhe nuk e kam lexuar”, deklaroi e dëmtuara Zekaj.

E pyetur se edhe pse kanë kaluar 5 vite a e ka diku letër, incizim, kontratë të borxhit, në të cilën është konstatuar shuma prej 80-86 mijë me nënshkrimin e Kreshnikut dhe Mentorit, siç e di saktësisht që ka qenë.

E dëmtuara-dëshmitarja Zekaj tha se nuk ka përgjigje në këtë pyetje.

Tutje, lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, prokurorja tha se mbetet pranë thënieve të mëparshme, pasi që 5 vite ka ndodh ngjarja dhe të njëjtit janë në botën e jashtme.

E njëjta e përsëriti propozimin që deklaratat e dëshmitarëve të konsiderohen të lexuara nga shqyrtimet e mëhershme.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Haliti, avokati Berisha, deklaroi se dëshmitari Driton Zeka nuk mund të pranohet si e tillë për ta, ai e kundërshtoi propozimin që të konstatohet e lexuar deklarata e tij.

Të njëjtin mendim e kishte edhe për dëshmitarin tjetër Haxhi Morina, andaj kërkoi nga gjykata që të caktohet data kur mund të dëgjohet dëshmitari Driton Zekaj, e më pas të vazhdohet me dëshmitarët e mbrojtjes.

Në lidhje me propozimin e dëshmitarëve të prokurorisë e kundërshtimin e mbrojtjes sa i përket dëgjimit të dëshmitarit Zekaj, kryetari i trupit gjykues Murat Hulaj deklaroi se trupi gjykues do të marrë vendim në seancën e radhës.

Pas kësaj, gjykata mori vendim që të shtyhet seanca e sotme për të vazhduar sipas agjendës së caktuar më 17 dhe 20 qershor 2022.

Ndryshe, pasi ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë, gjykimi po vazhdon me trupin e ri gjykues, tani këtë lëndë e gjykon trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Murat Hulaj, me anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Musë Povataj.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.

Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, raporton betimiperdrejtesi.