Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një postim të bërë në rrjetin social X, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili ka deklaruar se nuk mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Rohde ka reaguar pas deklarimit të Hillit, duke cituar deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë, në qershor të vitit 2022, i cili kishte deklaruar se është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së.
“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende. Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde mbrëmë vonë në X.
“Një marrëveshje politike mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune e me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, kishte thënë Scholz më 2022.