Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur keqardhje që nuk është bërë progres për të pagjeturit në tre vjetët e fundit për shkak të asaj që ai e ka quajtur “bllokadë politike”.
Rohde ka thënë se ka ende nevojë për veprime për të zbardhur fatin e të zhdukurve gjatë luftës.
“Solidarizohem me familjet e personave të zhdukur. 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka ende nevojë për veprim dhe shumë fate mbeten të panjohura. Më shumë se keqardhje që nuk është bërë asnjë progres në 3 vjetët e fundit për shkak të bllokadës politike”, ka shkruar ambasadori gjerman në “X” të shtunën.
Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve me Forcë gjatë luftës. Rreth 6,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës së fundit, prej të cilëve mbi 1.600 janë ende të pagjetur.