Policia, Qendra për Punë Sociale dhe Gjykata janë duke dështuar që ta mbrojnë Katerina Milosheviqin.
Ndonëse e shkurorëzuar që nga viti 2013 ajo vazhdon të jetë e ndjekur dhe e kërcënuar nga ish-bashkëshorti i saj. Përpos kërcënimeve të shumta që merr nga ish-bashkëshorti ajo pohon se edhe fëmija i saj 6 vjeçar është në rrezik meqë tash disa herë babai i kishte kërcënuar dhe vazhdimisht është i nënshtruar ndaj presionit psikik.
E kërcënuar me armë dhe thikë, e keqtrajtuar dhe ndjekur tash e disa vjet Katarina Milosheviq nga pjesa veriore e Mitrovicës është duke kërkuar ndihmë për të shpëtuar nga ish-bashkëshorti i saj.
Nënë e një fëmijë 6 vjeçar që nga shkurorëzimi për tre vjet radhazi së paku gjashtë herë e denoncoi ish-burrin në stacionin policor në Zveçan.
Më në fund nën akuza për dhunë fizike dhe kërcënime për vrasje Darko Milentijeviq u dënua me 90 ditë burgim.
Por as burgu nuk e mbushi mend.
Ajo shton se askujt në Prishtinë nuk i është drejtuar për ndihmë ngase nuk e di se si do të silleshin ndaj saj meqë është serbe dhe nuk flet shqip.
E lindur dhe e rritur në veri të Mitrovicës,mësimdhënëse e lëndës së Edukimit dhe Kujdesit ndaj Fëmijëve në shkollën e mjekësisë, 34 vjeçarja pohon se nëse dikush nuk i ndihmon ajo duhet të largohet nga Kosova.