Pandemia ka bërë që shumica e bizneseve të pushojnë aktivitetin e tyre. Kjo mund të shpie deri në mbylljen e shumë bizneseve dhe shuarjen e vendeve të punës dhe protesta nga ata që humbasin punën. Pos kësaj edhe investimet e huaja dhe remitencat do të pësojnë rënie.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nga analizat që i kanë bërë 30 për qind e bizneseve aktive rrezikojnë të mbyllen dhe rreth 20 për qind të njerëzve do t’i humbin vendet e punës.
“Të gjitha bizneset anë e mbanë vendit kanë ankesa të mëdha dhe kanë humbje të mëdha, rrezikojnë të mbyllen në vendin tonë në qoftë se qeveria nuk del me një pako emergjente për mbështetje, më shumë se 30% e bizneseve aktive. Dhe nëse ne do të mbyllim më shumë se 30% të bizneseve aktive dhe nëse nuk do t’i mbështetim nga institucionet e vendit këto biznese, Kosova rrezikon brenda këtij viti të humb më shumë se 20% të punësimit aktiv që ka pasur”, tha Shahini.
Shahini ka paralajmëruar që nga kjo gjendje mund të krijohen pakënaqësi dhe protesta nga njerëzit që i humbin vendet e punës. “Këta punëtorë të cilët do të mbesin pa punë, këto kompani të cilat do të falimentojnë, janë potencial real për të krijuar pakënaqësi dhe protesta sociale”, tha ai.
Më tutje Shahini thotë se edhe investimet e huaja do të pësojnë rënie. Ai paralajmëron se edhe remitencat do të ulen për 50 për qind.
“Në këtë vit sipas parashikimeve të AKB-së është që do të kemi 50% remitenca më pak dhe ardhje të diasporës më pak, për të cilën ata kanë sjellë qindra milionë euro në xhepa do të kemi po ashtu 50% më pak investime të huaja”, shtoi ai.
Kurse si dalje nga kjo situatë ai thotë se duhet një strategji kombëtare dhe fonde nga donatorët e ndryshëm por, edhe rritje të borxhit publik, që të mbahet konsumi aktiv.
“Dhe për këtë duhet një plan strategjik për rimëkëmbjen e ekonomisë duke prodhuar ligje parlamenti i Kosovës dhe duke kërkuar nga donatorët dhe institucionet financiare, mbështetje dhe grande por duhet hyrë edhe në borxh publik për të mbajtur konsumin aktiv, nuk mund të rimëkëmbet ekonomia pa konsum aktiv”, është shprehur Shahini për EO.
Ai po ashtu tha se në këtë situatë Kosova mund të jetë përfituesi më i madh në Ballkan i fondeve.
“Në këtë situatë Kosova mund të jetë përfituesi më i madh në Ballkan i fondeve dhe i grandeve botërore të cilat mund të përfiton mirëpo me një qeveri stabile, me një parlament stabil dhe me një strategji për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe daljes nga kjo krizë”, është shprehur ai.