Fjalë Kyçe

Rreth 400 gra dhe 12 burra me statusin e viktimës së dhunës seksuale

Rreth 400 gra dhe 12 burra me statusin e viktimës së dhunës seksuale

Më shumë se 1050 persona kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999). Aplikimet kanë filluar të paraqiten që nga muaji shkurt i vitit të kaluar, kur edhe ka filluar zbatimi i ligjit përkatës për këtë kategori.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se nga numri i përgjithshëm i atyre që kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale, deri më tani janë trajtuar 598 raste, kurse 406 viktima, nga to 394 femra dhe 12 meshkuj, tashmë kanë pranuar benificionet e njohura me ligj.

Përdhunimet, konsiderohen ndër krimet më të tmerrshme që njeh njerëzimi dhe të cilat, si në shumë vende të botës ku kishte apo ka luftëra e konflikte, ndodhën edhe në Kosovë gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 .
Një nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ishte Vjollca (emri i njohur për redaksinë). Ajo më herët ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se në vitin 1998 ishte dhunuar nga pjesëtarë të forcave serbe.
Rrëfimi i saj ishte rrëqethës. Ajo tregon se në atë kohë, gjashtë policë, për tre ditë e kishin dhunuar atë. Më pas e kanë futur në një kamion me shumë kufoma, ku thotë se kishte përjetuar tmerr të vërtetë.
“Ngjarja ka ndodhur kur unë e kam dërguar fëmijën në spital, pasi e kam me paralizë. Pasi kam dalë, i gjithë vendi ka qenë i rrethuar me policë. Atë ditë ma kanë marrë burrin dhe e kanë vra. Unë mbeta me fëmijët. I kisha tre fëmijë me vete. Hyra në shtëpinë e dajës së burrit për të shpëtuar. Por, edhe aty hynë policia, dhe të gjithë i qitën jashtë shtëpisë. Vetëm mua më ndalën në shtëpi. Më kanë dhunuar 6 policë, për tri ditë rresht”, rrëfen Vjollca.
Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Për të lehtësuar sado pak gjendjen e kësaj kategorie, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.
Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë thotë se deri në fund të muajit qershor, nga numri i përgjithshëm i aplikimeve që arrin shifrën prej 1057 sish, statusi u është pranuar 406 vetave, në pritje për trajtim janë edhe 459 raste, janë refuzuar 152 aplikacione dhe në proces janë 55 raste.
Ajo tregon se afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale, është pesë (5) vjet nga fillimi dhe zyrtarizmi i punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Ky komision ka filluar punën zyrtarisht në shkurt të vitit 2018.
Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës, vazhdimisht ka ndihmuar në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale. Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e kësaj qendre, konsideron se krahasuar me numrin e përgjithshëm të viktimave, numri i aplikimeve është jashtëzakonisht i vogël.
Rushiti kërkon edhe nga familjarët që t’i inkurajojnë dhe ndihmojnë viktimat që të realizojnë të drejtën e tyre që iu takon me Ligj.

“Natyrisht që numri është i vogël. Por, pasi procesi ka filluar vetëm një vit më parë, ky numër ka qenë i pritshëm për faktin se shumica e rasteve që tani janë në Komision, janë raste që kanë qenë duke u trajtuar paraprakisht më herët në organizatat joqeveritare. Tashmë është në pritje një numër tjetër, pasi rreth 1500 raste trajtohen në katër nga organizatat që merren më këtë çështje”, thekson Rushiti.
Organizatat që merren me të drejtat e njeriut kanë tërhequr vërejtjen për dukurinë e paragjykimeve ndaj këtyre viktimave.
Përtej këtyre paragjykimeve, Vasfije Krasniqi-Goodman është një prej viktimave të rralla të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e cila ka rrëfyer publikisht historinë e saj që i ka ndodhur 19 vjet më parë.
Ajo ka rrëfyer historinë e saj edhe në një seancë të mbajtur në muajin prill në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara, me temën: ”Viktimat e luftës në Kosovë”.

Aty, në emër të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, ajo ka kërkuar nga Kongresi amerikan që të adresojë pandëshkueshmërinë e krimeve të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut që janë kryer në Kosovë.
Gjatë një debati të mbajtur këtë javë në Prishtinë, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava ka kërkuar që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës të mos paragjykohen, duke shtuar se ato janë të pafajshme. Tërnava tha se kjo kategori e shoqërisë duhet të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësi, duke filluar nga familja e deri tek institucionet më të larta shtetërore.

“Sipas fesë islame nëse një veprim bëhet me imponim nuk konsiderohet mëkat. Të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve”.
“Jemi të obliguar nga Zoti dhe kemi detyrim shtetëror dhe nacional që këtë kategori ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht, ta rehabilitojmë në familje dhe rrethe. T’i integrojmë në institucione dhe shoqëri, sepse ato mbi veten e tyre nuk mbajnë asnjë fije faji sepse ato nuk e kanë zgjedhur këtë dhe as që e kanë dëshiruar. Ato thjesht janë viktima të pamundësisë sonë për t’i mbrojtur dhe ruajtur nga personat dhe pushtuesi dhunues”, tha Tërnava.
Përderisa në Kosovë janë krijuar mekanizma ligjorë për t’i ndihmuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale, kjo kategori po kërkon edhe drejtësi ndërkombëtare.

Në muajin prill Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.
Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara me shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë./REL