Deficiti tregtar i Kosovës është rritur për 33.3% në muajin tetor të këtij viti, duke shkuar kështu në 355.8 milionë euro, në krahasim më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur deficiti tregtar ishte 267.0 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për “Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë për muajin tetor 2021”, eksporti ka mbuluar importin me gjithsej 17%.
Sa i përket eksportit, Kosova ka eksportuar jashtë Kosovës mallra në vlerë të vetëm 72.6 milionë eurove, krahasuar me importin në tetor që ka shënuar një vlerë të lartë prej 428.5 milionë euro. Kjo, sipas ASK-së, është një rritje prej 43.5% për eksport dhe 34.9% për import, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit 2020 përcjell Buletini Ekonomik.
Nga të dhënat e grupeve kryesore të eksportit që dalin nga llogaritjet në këtë raport, pjesën më të madhe të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 26.5%, 26.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 11.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 7.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 5.9% e përbëjnë produktet minerale, 4.9% e përbëjnë produktet bimore, 2.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërkohë, Kosova në tetor ka importuar më së shumti produkte minerale që përbëjnë 14.2% të të gjitha importeve, 12.9% metale bazë dhe artikuj prej tyre, 12.5% makineri, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.7% ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, 7.4% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, 7.3% mjete të transportit, 7.1% produkte të industrisë kimike, etj.
Eksportet e Kosovës për në vendet e BE-së arritën në 22.8 milionë euro, ose rreth 31.4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 39.7% me vitin e kaluar. E partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania me 9.4%, Italia me 6.0% dhe Holanda me 2.7%, por edhe disa shtete tjera në shifra më të ulëta.
Në anën tjetër, Kosova importoi nga vendet e BE-së mallra në vlerë të 175.7 milionë eurove, ose 41.0% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.6% me tetorin e kaluar. Importet më të larta ishin nga shtetet si: Gjermania me 11.7%, Italia me 6.1%, Greqia me 3.6%, dhe Sllovenia me 3.6%.
Ndërsa, me vendet e CEFTA-s, eksportet e Kosovës arritën në 24.1 milionë euro, ose 33.2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.2%. Partner kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishte padyshim Shqipëria e para me 12.2%, pastaj Maqedonia e Veriut me 10.8%, Serbia me 5.1% dhe Mali i Zi me 4.0%.
Kurse importet e Kosovës nga po këto vende, në muajin tetor 2021, arritën në 90.3 milionë euro, ose 21.1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 31.5%. Nga vendet me pjesëmarrjen më të lartë për import këtu del Serbia e para me 7.3%, tek pastaj Shqipëria me 6.3% dhe Maqedonia e Veriut me 5.6%.
Ndërkohë, Kosova ekportoi edhe nëpër vendet e tjera të botës mallra në vlerë të 25.6 milionë eurove, ose 35.3%, në vendet si: SHBA gjithsej 20.3% të mallrave dhe Zvicër 8.4%.
Dhe në fund, Kosova po nga këto vende, importoi mallra në vlerë të 162.3 milionë eurove, ose 37.9%. Nga ky grup, Kosova importon më së shumti nga Turqia 12.0% dhe Kina 10.7%