Bizneset shqiptare nuk po arrijnë dot të shfrytëzojnë rritjen 100% të taksave, që Qeveria “Haradinaj” u ka vendosur produkteve serbe.
Ka kaluar rreth një muaj që kur u mor vendimi dhe është ende herët për të parë efektet ekonomike, por nga të dhënat paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duket se Shqipëria nuk ka mundur dot të rrisë eksportet drejt Kosovës, gazeta Mapo.
Nga data 1 deri më 22 dhjetor, periudhë kjo që përkon me rritjen e taksës për prodhimet serbe, eksportet shqiptare drejt Kosovës ishin rreth 13 milionë euro dhe zunë 9% të totalit të eksporteve tona, kurse në muajin nëntor u eksportuan 22 milionë euro mallra, ose 9.3% e totalit.
Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, thotë se me shumë gjasë kjo do të jetë një masë e përkohshme, prandaj bizneset shqiptare duhet të shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u futur dhe konsoliduar në tregun kosovar.
“Ne kemi marrë të dhëna paraprake nga prodhuesit eksportues shqiptarë, të cilët e kanë shfrytëzuar në këtë moment, këtë dritare mundësie ekonomike që është dhënë nga Qeveria e Kosovës. Natyrisht që kjo është e përkohshme. Natyrisht që ne e kemi theksuar vazhdimisht që ky është thjesht një pozicionim tjetër përkundrejt një negociimi të ardhshëm që do të ketë Qeveria e Kosoves ndaj Serbisë”, tha Arben Shkodra.
Për rritjen e eksporteve, prodhuesit kërkojnë heqjen e pengesave për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
“Shqipëria ka kapacitetet e plota për t’u pozicionuar mirë në tregun e Kosovës. Kemi nevojë vetëm të mos na e vështirësojnë shkëmbimin tregtar. Vështirësim do të thotë që ne të kemi mundësi, që nga fabrikat tona deri në pikën e shumicës në Kosovë të mos kemi barriera tarifore dhe jotarifore. Përditë na krijohen këto gjëra dhe ne mundohemi që si e si të ulim kostot e prodhimit, me qëllim që ne të jemi të konkurrueshëm në rajon. Kështu që ky është një nga elementët e rëndësishëm”, tha më tej Arben Shkodra.
Por kryetari i Aleancës kosovare të Bizneseve, Agim Shahini e cilësoi vitin 2018 si “jo të mirë” për ekonominë kosovare, duke bërë të ditur se problemi qëndron te diplomacia e vendit.
Sipas Shahinit, vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe ato boshnjake nga Qeveria e Kosovës, ka bërë që të ketë rritje të kapaciteteve në kompanitë prodhuese.
“Në ekonominë e vendit është rritur më shumë se 20 për qind prodhimtaria vendore, është rritur punësimi mbi 15 për qind, dhe e gjithë kjo është bërë falë taksës. Njëkohësisht, kjo ka bërë që në çdo kompani prodhuese të rriten kapacitetet, pasi ekonomia e vendit dhe bizneset prodhuese anjëherë nuk e kanë pasur këtë mundësi kaq të madhe për ta rritur praninë në tregun e Kosovës. Do të ketë një rritje të lehtë të çmimeve, e që përsëri edhe kjo nuk do të ndikojë në rritjen e prodhimtarisë së qëndrueshme”, tha Agim Shahini.
Kryetari i AKB-së shtoi se, Shqipëria dhe Kosova i kanë rritur shkëmbimet tregtare mbi 34 për qind në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa sipas tij, viti i ardhshëm do të sjellë rritje më të madhe.
“Institucionet e shtetit duan që ta mbajnë taksën në çdo formë, sepse ajo po e rrit ekonominë e vendit, por edhe të Shqipërisë, me të cilën janë rritur shkëmbimet tregtare në krahasim me vitin e kaluar me 34 për qind”, tha Agim Shahini.