Fjalë Kyçe

Rritja e çmimit të grurit, kryetari i mullisëve Muhamet Ferizi tregon nëse do të këtë krizë në Kosovë

Rritja e çmimit të grurit, kryetari i mullisëve Muhamet Ferizi tregon nëse do të këtë krizë në Kosovë

Rritja e çmimit të grurit po i kërcënon kosovarët më shtrenjtimin e produktit bazik, bukës. Çmimet e grurit në import kanë arritur nivele të larta dhe tendenca është ende në rritje.

Shumica e furrave në Kosovë kanë filluar rritjen e çmimit të bukës, si pasojë e rritjes së çmimit të miellit. Një kilogram miell aktualisht kushton 40 cent, nga 28 cent më parë. Kurse një bukë tani kushton 40 cent, nga 30 më herët. Çmimet janë ngritur edhe për disa produkte të tjera.

Prodhimi i grurit në Kosovë nuk përmbush nevojat e konsumit të brendshëm, kësisoj vendi varët nga importi i cili është kryesisht me Serbinë.

Muhamet Farizi, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës në një intervistë për lajmi.net ka eliminuar mundësinë që në Kosovë do të ketë krizë të millit, pasi thotë se ka një konkurrencë të madhe për të siguruar këtë produkt, ndërkohë ka folur për arsyet e shtrenjtimit të grurit, i cili ka bërë që të ngrihet edhe çmimin e miellit.

“Në nivel botëror janë dy faktorë që kanë ndikuar në mungesën e grurit e më pas edhe shtrenjtimit. I pari ka të bëjë më atë se, para disa muajve ka filluar të zbatohet tatimi në eksport të grurit nga ana e Rusisë. Menjëherë çmimi i grurit është shtrenjtuar. E dyta, ka të bëjë më atë se gjatë këtij viti, Kina për 24 milionë tonë ka shpenzuar më shumë se sa një vit paraprak. Kina është njëra ndër shtetet e cila ruan stoqe më së shumti në nivel botërorë. Stoqet e Kinës janë krijuar të paktën për 13 muaj. Këta janë dy faktorët në nivel global që kanë ndikuar në shtrenjtimin e grurit”, tha Farizi.

Mullisët e Kosovës një sasi të miellit e importojnë edhe jashtë vendit, kryesisht në Shqipëri, por vendet e rajonit po i vendosin Kosovës barriera jotarifore, dhe kjo sipas Farizit do të ndikojë që mielli të shitet brenda.

“Vendi ynë ka importuar edhe gjatë korrjeve nga Serbia dhe krizë për furnizim të popullatës më këtë produkt, konsideroj që nuk do të ketë. Kjo pasi që në Kosovë ka mullinj të mjaftueshëm që prodhojnë miell. Ka një konkurrencë të konsiderueshme brenda, në mënyrë që çmimet janë mbajtur të ulëta për shkak të konkurrencës së madhe. Faktori tjetër është se e kemi të vështirë të eksportojmë jashtë vendit sepse fqinjët na kanë venë barriera jotarifore. Këso barrierash po na vendos Shqipëria, Maqedonia, po ashtu edhe Serbia, kështu që mullisët e mëdhenj që kanë eksportuar jashtë, tash qarkullimin e prodhimit e kanë brenda Pra, brengë që nuk do të këtë miell për popullatën nuk ka. Por brenga, është në anën tjetër, pasi në gjithë regjionin ka shkuar duke u shtrenjtuar gruri, rrjedhimisht ka filluar edhe shtrenjtimi i miellit”, shtoi Farizi për lajmi.net.

Lajmi.net ka marr informacione nga mullistët në Kosovë lidhur me çmimet. Ata kanë thënë se çmimi i miellit në vend është rritur 100 euro për ton, mirëpo pritet të ketë edhe rritje më të madhe. Pra, një kg miell ka qenë 29 cent, tani është rreth 40 cent.

Tashmë shumica e furrave në Kosovë kanë filluar ta shesin bukën me nga 40 cent, nga 30 sa ishte javë më parë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë këtij viti, rreth 68.000 hektarë kanë qenë të kultivuara me grurë. Sasia e prodhimit të grurit është rreth 4000 kilogramë për hektarë.

Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.

Vitin e kaluar, sasia e prodhimit të grurit ka paraqitur rekord, pasi deri në 4.700 kilogramë janë siguruar për hektarë, në rreth 63.000 hektarë sipërfaqe të mbjellur me këtë kulturë.