Kompania Elektrosever, e cila është përgjegjëse për faturimin e rrymës në veri ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, tek mbi gjysma e qytetarëve në Mitrovicë të Veriut.
Kështu të paktën deklaron kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin.
“Në disa shtëpi e biznese kanë filluar të vijnë faturat, por ende jo tek të gjithë. Shumë prej banorëve, diku 50 apo 60 për qind p.sh në Lagjen e Boshnjakëve ku jetoj unë nuk i kanë nënshkruar ende kontratat me Elektroseverin, qysh edhe parashihet me ligj”, tha Ugljanin për Klankosova.tv.
“Vendosja e orave elektrike është bërë po ashtu në disa pjesë e në disa jo. Pra, ka qytetarë që ende nuk e dinë as sa duhet të pagujnë për rrymën e shpenzuar”, tha ai.
Ugljanin theksoi se ka ankesa të qytetarëve rreth shumës së faturave.
“Ka ankesa nga ana e qytetarëve që faturat po vijnë paushall, domethënë nga 300 euro, 400 euro etj. Pra, nuk po merren parasysh orët elektrike. Në disa vende ku nuk ka të vendosur ora, faturat po vijnë paushall dhe jo siç duhet në bazë të orëve”, theksoi kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, njofton Klankosova.tv
Rreth kësaj teme ka folur edhe kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Zeqiri tha se janë duke u vendosur njehsorët elektrik në këtë komunë.
“Bazuar në marrëveshjen e re KEDS-Elektrosever, ende s’ka filluar faturimi i energjisë elektrike. Janë vendosur disa njehsorë elektrik në fshatin Qabër dhe kur të kompletohet vendosja e tyre në krejt komunën besoj do të nis faturimi”, tha ai për Klankosova.tv.
“Energjia elektrike është faturuar edhe në të kaluarën, domethënë me të vjetrën, po flas për komunitetin shqiptar”.
Ai theksoi se faturimi do të bëhet në bazë të harxhimeve që bëjnë qytetarët.