Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë thirrje që të ndalen gjobat ndaj bizneseve të fushës së gastronomisë.
“Fushata kundër gastronomisë duhet të ndalet”, nis një tekst i Rukiqit në Facebook.
“Mbi 50% kemi rënie të qarkullimit të bizneset e gastronomisë, përfshirë edhe biznese që në asnjë moment nuk e prishin qetësinë publike. Brenda një jave, mesataret e gjobave kanë arritë në 1000 euro, në secilin nga këto biznese. Për ata të cilët nuk e kane fituar asnjë cent të merituar në jetën e vetë, këto humbje nuk kanë kuptim, por për ata që nuk e kanë të fituar asnjë cent nga puna apo paraja publike, çdo cent ka vlerën e vet”, ka shkruar ai.
“Një fakt nuk duhet të anashkalohet: dëmet në gastronomi kanë efekte zinxhirore në sektorin prodhues, në tregtinë me shumicë në tregti me pakice, shërbime të ndryshme, patundshmëri, etj. Fushata kundër gastronomisë duhet të ndalet”, është shprehur Rukiqi.
Në kryeqytetin e Kosovës, ka qindra lokale ku të rinjtë kalojnë kohën e lirë dhe argëtohen, por kjo po del të jetë pengesë për disa qytetarë të tjerë.
Ata po ankohen në polici për zhurmën që lokalet që gjenden në qendër të qytetit, po krijojnë gjatë orëve të mbrëmjes.
E pas ankesave të banorëve, policia ka marrë aksion, duke gjobitur pronarët e lokaleve me tiketa të kundërvajtjes të cilat kapin shumën prej 150 deri në 700 euro.