Fjalë Kyçe

Rusët qëlluan drejt gazetarit zviceran dhe i vodhën 3000 euro: Katër plumba më kaluan kah fytyra

Rusët qëlluan drejt gazetarit zviceran dhe i vodhën 3000 euro: Katër plumba më kaluan kah fytyra

Ushtarët rusë qëlluan në veturën e gazetarit zviceran, Guillaume Briquet në fillim të kësaj jave. Ai ndau historinë me gazetaren ukrainase, Tatiana Popov, dhe ajo u publikua nga Presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko në Facebook.

Ushtarët rusë qëlluan me vetëdije mbi një veturë me mbishkrimin Press teksa po udhëtonte nga Kirovograd në rajonin e Nikolaevit dhe më pas e grabitën atë. Plumbat kaluan disa centimetra përtej kokës së tij dhe nëse ai nuk do të ishte përkulur do të ishte goditur.

“Nuk është ushtria, janë vrasësit e Putinit”, tha gazetari zviceran. “Shkova në Nikolaev, ku pas kontrollit ukrainasit më lejuan të vazhdojë. Pasi mora patentën time, vazhdova rrugën time. Katër kilometra më vonë ata filluan të qëllojnë në veturën time – katër të shtëna kaluan pranë fytyrës sime”, tha ai, përcjell telegrafi.

Pasi ushtarët rusë qëlluan në veturën e tij, Guillaume doli prej automjetit dhe ngriti duart duke thënë “Unë jam gazetar, mos më vrit”.

Ai thotë se i pyeti nëse ishin ukrainas apo rusë dhe një i ri u përgjigj se ishin ushtarë rusë. Një tjetër burrë futi dorën në xhep dhe i mori 3000 euro.

“E pyeta pse më morët paratë, kjo është grabitje dhe ai m’u përgjigj “Kjo është situata tani” dhe qeshi”, tha gazetari zviceran, i cili pretendon se rusët i kanë konfiskuar pajisjet profesionale, laptopin, pasaportën dhe ushqimin.

“Më pas rusi më tha: ‘Ke tre minuta për t’u kthyer ose do të të vras’”, thotë Guillaume.

Zvicerani ka shkuar në Ukrainë me një kartelë ndërkombëtar të gazetarëve pesë ditë para fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.