Rregullatori i medias në Rusi tha se po heton nëse transmetuesi britanik BBC e ka thyer ligjin rus duke promovuar, siç tha, ekstremizmin islamik.
“Po verifikohet nëse faqet e internetit të BBC-së veprojnë në përputhje me ligjin rus. Deri më sot, është zbuluar një material, i cili transmeton parimet ideologjike të një grupi terrorist (citatet e terroristit al-Baghdadi)”, tha përmes një deklarte Roskomnadzor.
Abu Bakr al-Baghdadi është udhëheqës i grupit ekstremist Shteti Islamik.
“Është duke u zhvilluar një hetim nëse këto materiale janë në përputhje me normat e legjislacionit rus”, thuhet po ashtu në deklaratën e Roskomnadzor-it.
Muajin e kaluar, Roskomnadzor ka thënë se ka nisur të kontrollojë ligjshmërinë e operacioneve ruse të BBC-së, transmeton rel.
Njoftimi është bërë një ditë pasi mbikëqyrësi i mediave në Britani, Ofcom, ka thënë se po shqyrton sanksionimin e transmetuesit shtetëror rus, RT, të cilin e ka akuzuar për shkelje të rregullave të paanshmërisë në shtatë programe në vitin 2018.