Fjalë Kyçe

Rusia më 9 maj mund t’i shpallë luftë Ukrainës

Rusia më 9 maj mund t’i shpallë luftë Ukrainës

Presidenti rus Vladimir Putin mund t’i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës më 9 maj, gjë që do t’i mundësonte atij të mobilizojë plotësisht forcat rezervë, ndërkohë që pushtimi vazhdon të ngadalësohet, besojnë zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë, shkruan CNN-i të martën.

9 Maji është dita në të cilën Rusia feston fitoren ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Zyrtarët perëndimorë kanë besuar prej kohësh se Putini do të përdorë rëndësinë simbolike dhe vlerën propagandistike të asaj dite për të shpallur ose arritjet ushtarake në Ukrainë, një përshkallëzim të madh të situatës, ose të dyja.

Zyrtarët, përcjell CNN, besojnë gjithnjë e më shumë në skenarin që Putini do t’i shpallë luftë Ukrainës më 9 maj. Deri më tani ai ka këmbëngulur se lufta e nisur më 24 shkurt është një “operacion ushtarak special”.

Shpallja formale e luftës mund të forcojë potencialisht mbështetjen publike për pushtimin. Kjo, sipas ligjit rus, do të lejonte Putinin të mobilizojë forcat rezervë dhe të rekrutojë rekrutë, për të cilët zyrtarët thonë se Rusia ka shumë nevojë për shkak të mungesës në rritje të njerëzve.

Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas vlerësojnë se të paktën 10.000 ushtarë rusë kanë vdekur në luftë deri më tani.