Fjalë Kyçe

Sa para shpenzuan kosovarët për një vit për zhdoganimin e veturave?

Sa para shpenzuan kosovarët për një vit për zhdoganimin e veturave?

Më shumë se 183 milionë euro kanë shpenzuar qytetarët e Kosovës për blerjen e veturave nga jashtë, vetëm gjatë vitit 2018.

Në përgjithësi, vitin e kaluar janë importuar 20 mijë e 689 vetura. Prej tyre, 17 mijë e 340 janë vetura të përdorura, ndërsa 3 mijë e 349 vetura të reja.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga totali i 183 milionë eurove, më shumë se 129 milionë janë shpenzuar për vetura të përdorura, ndërsa afër 54 milionë euro për vetura të reja.

Pos për blerjen e veturave, qytetarët një shumë të konsiderueshme parash e shpenzojnë më pas edhe për zhdoganim.

Bazuar në të dhënat zyrtare, nga procesi i zhdoganimit të këtyre makinave, Dogana e Kosovës ka arkëtuar afër 58 milionë euro (57 milionë e 953 mijë euro). Prej tyre, rreth 22 milionë euro janë inkasuar vetëm nga taksa doganore dhe akciza, ndërsa 36 milionë euro tjera janë grumbulluar nga TVSh-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar).

Dogana i ka inkasuar afër 10 milionë e 500 mijë euro, vetëm nga zhdoganimi i 3 mijë e 349 veturave të reja – të cilat nuk u nënshtrohen të gjitha taksave. Sipas llogaritjeve i bie që pronarët e veturave të reja, mesatarisht, kanë paguar taksa në vlerë prej 19.4 për qind të çmimit të veturës.

Ndërsa, për zhdoganimin e 17 mijë e 340 veturave të përdorura, të cilat i nënshtrohen taksës doganore, akcizës dhe TVSh-së, qytetarët kanë paguar 47.5 milionë euro. Përkthyer në përqindje, pronarët e këtyre veturave i bie se, mesatarisht, kanë paguar taksa në vlerë prej 36.7 për qind të çmimit bazë të veturës.

Nga totali i 47.5 milionë eurove të taksave të paguara për veturat e përdorura, për akcizë dhe doganë janë paguar 21 milionë euro (afër 9 milionë euro janë paguar vetëm për akcizë, ndërsa më shumë se 12 milionë euro të tjera për taksë doganore).

Pa llogaritur TVSh-në, kjo përbën 44 për qind të shumës totale që Dogana ka inkasuar nga zhdoganimi i veturave të përdorura.

Ligjet aktuale në fuqi, në Kosovë, lejojnë importin e veturave të vjetra deri në 10 vjet.

Radio Evropa e Lirë ka bërë një llogaritje të thjeshtë, në kalkulatorin online të Doganës dhe Institutit GAP, për shumën që një qytetar duhet të paguajë për të vënë, lirshëm dhe ligjshëm, në qarkullim një veturë të blerë jashtë vendit.

Llogaritja është bërë duke marrë shembull një veturë me vlerë 5.000 mijë euro, me vëllim të motorit nën dy mijë kubikë dhe të vjetër 10 vjet.

Sipas kalkulatorit, për një veturë të tillë zhdoganimi kushton 2 mijë e 316 euro. Nga kjo shumë 1 mijë e 116 euro shkojnë për TVSH, për tatimin në import 500 euro dhe 700 euro të tjera për akcizë.

Kur shumës së zhdoganimit i shtohen edhe sigurimi (i thjeshtë) e regjistrimi (bashkë me taksën për rrugë, tabelat etj), që zakonisht kushtojnë rreth 250 euro, kostoja e përgjithshme e dokumentacionit për vënien në qarkullim të veturës, zakonisht, shkon afër 2 mijë 600 euro.

Në një thjeshtësim, për një veturë në vlerë 5 mijë euro, të blerë jashtë vendit, një qytetar duhet të paguajë edhe së paku gjysmën e asaj shume, vetëm për dokumentacionet e nevojshme për të vënë makinën e tij lirshëm dhe ligjshëm në rrugët e Kosovës.

Aktualisht, dogana për import të automjeteve është 10 për qind, TVSH-ja 18% dhe akciza llogaritet sipas vëllimit të motorit dhe vitit të prodhimit.

Ish-drejtori i Doganës dhe njohësi i kësaj fushe, Naim Huruglica, vlerëson se taksat nuk janë shumë të larta.

Megjithatë, ai pranon se ato nuk janë në përputhje me standardin ekonomik të shumicës së popullsisë në Kosovë, pasi, sipas tij, pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi të blejnë vetura të reja, të cilat lirohen nga akciza.

“Kur kemi të bëjmë me veturat e vjetra ose të përdorura, atëherë fillon aplikimi i taksës dhe akcizës, e cila shkon duke u rritur gradualisht sipas vjetërsisë së veturës. Nuk do të thosha që taksat i kemi shumë të shtrenjta, por problemi është që njerëzit tanë, në përgjithësi, nuk kanë fuqi ekonomike të blejnë vetura të reja dhe gjithmonë është orientimi te veturat e përdorura dhe për këtë shkak i nënshtrohen pagesës së këtyre detyrimeve,” vlerëson Huruglica.

Ideja e vendosjes së akcizës, sipas ish të parit të Doganës, ka qenë dekurajimi i qytetarëve nga blerja e automjeteve të vjetra.

Por, Huruglica taksat për importin e veturave i lidh edhe me mbushjen e arkës së shtetit, pasi sipas tij, Kosova do ta kishte shumë të vështirë t’i zëvendësonte taksat që mbledh ky produkt.

“Problemi është se, parimisht, është e vërtetë se kemi akciza, të cilat e rëndojnë bukur shumë atë që nuk ka fuqi për veturë më të re, por unë e shoh edhe një problem – atë të buxhetit. Të ardhurat që vijnë nga importi i makinave janë një kategori shumë e rëndësishme dhe është e vështirë për Qeverinë që përnjëherë ta ulë (akcizën) apo ta heqë atë në total – sepse është problem zëvendësimi i atyre taksave që sot vijnë nga ky produkt”, shpjegon ai.

Huruglica shton se me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, që Kosova e ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, parashihet zbritje e taksës doganore nga viti në vit – dhe, në vitin 2021, ajo parashihet të jetë vetë një për qind.