Fjalë Kyçe

Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Filmi dokumentar i shkurtër ‘Në mes’ ishte debutimi i tij regjisorial, që në 2019 shfaqi premierën botërore në Berlinale. Ai u bë filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival, transmeton Klankosova.tv.

“‘Në mes’ ishte gjithashtu edhe kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit EFA në 2019. ‘Pa vend’ është filmi i tij i dytë me metrazh të shkurtër, i cili shfaqi premierën në konkurrencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në 2021 dhe prej nga u shpërblye me nominim për çmimin e Akademisë Evropiane EFA për filmin më të mirë evropian,” thuhet në një postim në Facebook të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Tutje bëhet e ditur se Karahoda, në vitin 2019, është shpërblyer me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës. Ai i bashkohet grupit të rreth 20 kineastëve kosovarë tashmë anëtarë të EFA-së.

”Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989 si Shoqëri Evropiane e Kinemasë nga presidenti i saj i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineastë të tjerë, për të çuar para interesat e industrisë evropiane të filmit. Synimet e Akademisë janë të ndajë njohuritë dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane.”

EFA momentalisht numëron rreth 4 mijë e 200 anëtarë nga lëmi të ndryshme të kinematografisë.