Në kuadër të Samitit në Pragë, ku do të diskutohet iniciativa për krijimin e një bashkësie politike evropiane si platformë për dialog ndërmjet anëtarëve ekzistues të Bashkimit Evropian dhe atyre vendeve që aspirojnë për të, raportohet se presidentja e vendit pritet të ketë një takim me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të konfirmojë këtë takim, por nga stafi i Presidentes nuk kanë kthyer ende përgjigje.
Siç raportuan mediat në Serbi, takim me Macron e Scholz pritet të ketë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Temë e diskutimit u tha se do të jetë edhe Kosova.
Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane.
Kjo nismë synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.