Fjalë Kyçe

SBAShK thotë se s’ka kërkuar mosdekretimin e Ligjit për Paga

SBAShK thotë se s’ka kërkuar mosdekretimin e Ligjit për Paga

Pakënaqësi të shumta rreth Ligjit për Paga po ka nga shumë sektorë. Madje, këto pakënaqësi janë shfaqur edhe te arsimtarët e ciklit fillor pasi që këta të fundit kanë  koeficientin për 0.15 më të vogël se arsimi i mesëm i ulët.

Ndërsa, sot në media është raportuar që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po kërkon mosdekretimin e këtij ligji nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Alo.

Por, një gjë të tillë e ka hedhur poshtë nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala.

Shala, ka thënë për Gazetën Alo se nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë por se ka thënë se edhe nëse presidenti Thaçi nuk e dekreton nuk janë kundër këtij vendimi.

“Ne nuk kemi bërë kërkesë që mos me u dekretu Ligji për Pagan në presidencë, mirëpo nëse presidenti i Kosovës nuk e  dekreton Ligjin e Pagave, SBAShK-u nuk do të jetë kundër pasi që edhe gjatë grevës njëri prej opsioneve të SBAShK-ut ishte edhe tërheqja e projektligjit për paga dhe kthimi i tij në Qeveri ashtu që do të ishin ulur, institucionet, sindikatat dhe punëtorët dhe do ta bënin një ligj të ri të pagave ku mësimdhënësit do t’i rangonin në vendin meritor dhe do të ishte një ligj i pagave i pranueshëm nga të gjithë sektorët publik”, ka thënë ajo.

Ndërsa, e pyetur rreth pakënaqësive të arsimtarëve të ciklit fillor rreth nivelizimit të koeficienteve, Shala ka deklaruar se këtë nivelizim e ka bërë Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Mirëpo, ka shtuar se do të qëndrojnë gjithmonë prapa arsimtarëve.

“Propozimi i SBAShK-ut ka qenë dhe mbetet që koeficienti për arsimin fillor dhe atë të mesëm të jetë i njëjtë mirëpo këtë nivelizim të këtyre koeficienteve e ka bërë Ministria e Arsimit, çka mësimdhënësit në arsimin fillor kanë një koeficient më të ulët për 0.15 se sa ata të arsimit të mesëm. Mirëpo, pakënaqësitë e arsimit fillor mësimdhënësit e këtij niveli mund t’i shfaqin dhe t’i orientojnë përmes SBAShK-ut por fillimisht ata duhet t’i drejtohen kryetarit të Sindikatës së Shoqatës, pastaj Sindikatës së Arsimit Fillor të Kosovës e deri në kryesinë e SBAShK-ut për gjetjen e një zgjidhje më të mirë të mundshme edhe për nivelin fillor, mirëpo nëse mësimdhënësit e arsimit fillor bëjnë kërkesë për mosdekretim të ligjit prapë SBAShK-u, nuk është kundër”, ka thënë ajo.

Thotë se SBAShK-u, ka kërkuar që koeficienti të jetë i njëjtë si për arsimin fillor të mesëm të ulët ashtu edhe për arsimin fillor.

“Natyrisht që MASHT-i, është i njoftuar për  këtë ndarje ngaqë ne kemi kërkuar koeficientin e njëjtë edhe për arsimin fillor edhe për arsimin e mesëm të ulët, mirëpo një ndarje të tillë e ka bërë Ministria e Arsim.

Mësimdhënësit e arsimit fillor (1-5) nuk janë të kënaqur me koeficientet e tyre dhe po konsiderojnë se janë diskriminuar në krahasim me mësimdhënësit e arsimit të mesëm të ulët (6-9)

Ligji për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës  më 2 shkurt të këtij viti./Gazeta Alo/.