Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) përmes një kumtese për media ka njoftuar se Këshilli Qendror Grevist ka vendosur që veprimet sindikale t’i vazhdojnë vetëm me grevë edhe në ditët në vijim.
Ky është teskti i kumtesës së SBASHK-ut:
Raportet e arritura nga Këshilli Qendror Grevist, komunal dhe universitetet, tregojnë se edhe në ditën e 10-të të punësuarit në tërë sektorin e arsimit të Kosovës ishin në grevën e tyre, me porosinë që ajo të vazhdoj deri në realizimin e kërkesave për ndryshim të koeficientëve në tërë sektorin e arsimit.
Sot ministri Bytyqi, ka ftuar në një takim përfaqësuesit e SASHK-ut, për të debatuar për gjendjen aktuale në sistemin arsimor, ai është deklaruar se do të angazhohet që në të ardhmen koeficientet të ngritën, pasi të jetë bërë përformanca dhe gradimi i punëtorëve të arsimit, por nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje për koeficientët aktual të cilët mbeten shumë të ulët në sektorin e arsimit ku për këtë propozim është biseduar me kryetaret komunal të Sindikatave por edhe me anëtaret e Këshillit Drejtues te SBASHK-ut të cilët me këmbëngulësi kërkojnë që koeficienti aktual të rritet sipas kërkesave e aq më tepër duke pasur parasysh që koeficientet edhe nëse mbeten deri ne 10 është përsëri koeficienti i arsimi në fund te tabelës.
Kryetari i SBASHK-ut,Rrahman Jasharaj, bashkë me menaxherin për financa z.Ymer Ymeri, njiherit edhe anëtar te Këshillit Qendror Grevist janë shprehur se është momenti i fundit që duhet bërë zgjidhje për ngritjen së paku të 30% të koeficientëve për tërë sektorin e arsimit, nga çerdhet deri në universitete në Projektligjin e pagave, dhe pasi të bëhet kjo zgjidhje, atëherë mund të flitet se çfarë do të bëhet në sistemin arsimor në të ardhmen.
Sot anëtari i Këshillit Qendror Grevist dhe kryetari i SUSHK-ut, Bardh Bardhi i vizitoi një numri të madh grevistësh nga universiteti, ku bashkëbisedoi me grevistët për koeficientet në universitet e veçmas për koeficientin e të punësuarve në administratë.
Grevistët janë shprehur unanimisht që mbështesin kërkesën e SBASHK-ut për ngritje të koeficientit për së paku 30% për të gjithë të punësuarit në arsim, ata shprehën gatishmëri që greva të vazhdoj deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
SBASHK-u u është drejtuar me një letër deputetëve, anëtarë të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.