Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka publikuar një vendim sipas të cilit mësimdhënësit obligohen t’i kompensojnë orët e humbura gjatë grevës 3 javore.
Mirëpo me këtë vendim nuk janë pajtuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit të cilët kanë kërkuar ndihmë nga gjykata për një vendim të tillë, shkruan lajmi.net.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari është shprehur se arsyeja e parë pse nuk janë pajtuar me këtë vendim është për arsye se e konsiderojnë të një anshëm.
“Çështje tjetër është se ligji mbi grevat nuk i obligon grevistët që të kompensojnë orët e humbura në grevë”, është shprehur Jashari.
Ai tha se urdhëri është në kundërshtim me ligjin e grevave dhe ky vendim do të dërgohet në Gjykatë.
“Unë jam i bindur se po të drejtoheshin me apel ndaj mësimdhënësve do të kishte një mirëkuptim dhe mbase orët edhe do të kompensoheshin, por kjo si urdhër nuk është i bazuar dhe është në kundërshtim me ligjin e grevave dhe këtë vendim do ta dërgojmë në Gjykatë dhe pastaj të sjellet vendimi”, tha më tutje Jashari për lajmi.net
Jashari gjithashtu është shprehur se vendimi i gjykatës do të respektohet nga Këshilli drejtues i grevës, por sipas tij, mësimdhënësit kanë merituar të bisedohet me ta dhe të arrihet marrëveshje.
“Edhe mësimdhënësit janë kundër që fëmijëve t’u humbet pushimi, kur ka mënyra të tjera për t’i kompensuar këto ditë”, tha më tutje Jashari.
I pyetur se cili është qëndrimi i prindërve Jashari është shprehur se: “Ne kemi probleme në komunikim me Kryetarin e Prindërve të Kosovës, pasi doli të jetë jo shumë legjitim, por në biseda private prindërit nuk janë shprehur të kënaqur me mënyrën e kompensimit të orëve”.
Gjithashtu Jashari tha se do të humbte edhe efekti i grevës në të ardhmen nëse këto ditë të humbura gjatë grevës do të kompensoheshin kështu me një vendim-urdhër nga ana e Ministrisë së Arsimit.