Ministria e Arsimit sot ka marrë vendim që të kompensohet orët e humbura të mësimit gjatë grevës së mbajtur.
Ministria ka vendosur që orët të zëvendësohen nga pushimi pranveror (pesë ditë), të zëvendësohen gjatë pesë të shtunave, si dhe të zgjatet përfundimi i vitit mësimor, njofton Klan Kosova.
Por këtë vendim po e kundërshton SBASHK, të cilët po e quajnë vendim të njëanshëm.
Kryetari i SBASHK-ut për Prishtinë, Ahmet Pllana, ka thënë për klankosova.tv se kanë mbajtur një mbledhje për këtë arsye.
“Pasi morëm vendimin nga Ministria e Arsimit, kemi mbajtur një mbledhje të gjithë kryetarët e niveleve komunale ku unanimisht vendosëm që të mos i zëvendësojmë orët. Mësimdhënësit kanë shkuar në punë për 15 ditë të grevës. Faji nuk ka qenë i yni që është zgjatur por i Ministrisë dhe të tjerëve”.
“Ky vendim është i njëanshëm pasi nuk janë konsultuar me ne. Ne kërkojmë që të mos mbahet mësimi në ditët e shtune, sepse është ngarkesë për fëmijët dhe për mësimdhënësit. Po ashtu, në pushimin pranveror ne bëjmë gati librezat dhe punë të tjera”.
Pllana tha se edhe Këshilli i Prindërve është pajtuar me vendimin e tyre pasi që nuk dëshirojnë që fëmijëve t’u merren pushimet.