Fjalë Kyçe

Scholz: Marrëveshja me Serbinë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës

Scholz: Marrëveshja me Serbinë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz tha se për dialogun duhet qëndrim konstruktiv, duke thënë se një marrëveshje përfundimtare do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen pjesë e BE-së”, tha Scholz.

Ndërkaq, i pyetur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nëse kanë ndërmarrë diçka që t’i bindin shtetet skeptike, kancelari Scholz ka thënë:

“Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, sot ka nisur turin në Ballkan me vizitën në Kosovë.

Scholz në Kosovë po ashtu pritet të vizitojë edhe trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Fokusi i udhëtimit është perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 maj ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin Scholz. Në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Mes tjerash Scholz pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

Po ditën e sotme kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të udhëtojë për në Beograd, ndërsa të shtunën ai viziton Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me rastin e vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

Në njoftim thuhet se policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë.