Fjalë Kyçe

Sejdiu tregon se për interesa të kujt ZRRE po rrit çmimin e energjisë elektrike

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu ka reaguar ndaj dokumentit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”, duke thënë se për interesa të Contour Global, ZRRE po ndihmon rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.

Sipas tij, ZRRE me dokumentin “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”, ka bërë hapin e radhës në legjitimimin e kontratës më të dëmshme ekonomike, financiare e energjetike për Kosovën, atë të ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, me Contour Global.

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka vënë në diskutim publik këtë dokument i cili mëton të ndihmojë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke u siguruar që krejt barra e kostoja t’iu vihet bizneseve e qytetarëve. Emri me të cilin ZRRE ledhaton konsumatorët është “TAKSA PËR SIGURI TË FURNIZIMIT”, taksë kjo e cila do të paguhet nga të gjithë furnitorët e licencuar tek Ndërmarrja e Re (NKEC). E, këtë taksë në fund do ta paguajnë qytetarët e Kosovës përmes çmimeve të dyfishuara të energjisë elektrike. Partia Socialdemokrate ka ftuar në interpelancë Ministrin e Zhvillimit Ekonomik në lidhje me themelimin e Ndërmarrje së Re (NKEC) mu për shkak të monstrumit energjetik që po tentohet të kontrabandohet me këso dokumente, e këso ndërmarrje, të cilat të vetmin qëllim e kanë kamuflimin e kostos që ne si qytetarë do ta mbajmë në supet tona me ndërtimin e këtij termocentrali. Detyra dhe mandati i vetëm i ZRRE është të ruaj interesin publik duke garantuar funksionimin e tregut me konkurrencë të lirë dhe duke u siguruar që tregu energjetik i Kosovës mund të jetë pjesë një treg të integruar rajonal. Me këtë orvatje ZRRE është vendosur qartazi dhe në mënyrë paekuivoke në anën e kontratës që ka nënshkruar Qeveria me Contur Global, e kështu edhe në kundërshtim me mandatin e saj. Kontrata me Contour Global do ta izolojë Kosovën nga tregu rajonal e evropian, do të ngrisë çmimet për gjithë konsumatorët, dhe rrjedhimisht do ngrisë koston e furnizimit me energji edhe për ndërmarrje prodhuese, e që do ulë potencialin për të zhvilluar biznese e ndërmarrje që krijojnë vende të reja të punës”, ka shkruar ai në Facebook.

Sejdiu ka shtuar se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me dokumentin “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”, po dëshiron të sigurohet se për siguri të furnizimit me energji elektrike, qytetarët duhet të paguajnë edhe njëherë nga xhepi, me “TAKSA PËR SIGURI TË FURNIZIMIT” miliarda euro të cilat ia garantuan qeveria PDK-LDK, e tani po vazhdon qeveria PDK-AAK-NISMA.

Sipas tij, PSD fton ZRRE që të heq dorë nga ky dokument, e mos të bëhet dorë e zgjatur e zhvatësve por të sigurohet që vepron në kuadër të mandatit të saj dhe kështu të ruaj interesin publik e të sigurohet që Kosova të bëhet pjesë e një tregu të integruar energjetik rajonal dhe evropian./Gazeta Alo/