Para ndërtesës së qeverisë në Shkup, kryeministri grek Tsipras, u prit nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe delegacioni qeveritar, pas çka vijoi një takim i delegacioneve qeveritare të cilin e udhëheqin dy kryeministrat.
Pas takimit të delegacioneve është njoftuar se do të ketë një konferencë të përbashkët për media, në të cilën opinionit do t’i adresohen kryeministrat Zaev dhe Tsipras.
Pas takimit me Zaevin, sipas paralajmërimeve, Tsipras do të pritet në një takim edhe nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, ndërsa bëhet e ditur se në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit grek Tsipras, ai bashkë me kryeministrin Zaev do t’i drejtohen edhe forumit të biznesit në të cilin do të marrin pjesë afaristë nga të dyja vendet.
Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri grek në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Rikujtojmë se në muajin qershor të vitit të kaluar dy vendet nënshkruan Marrëveshjen e Prespës me të cilën mori fund kontesti shumëvjeçar për emrin.
Siç ishte paraparë në marrëveshje, Maqedonia ndryshoi emrin kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa më 12 shkurt të këtij muaji Qeveria njoftoi se Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fuqi.