Fjalë Kyçe

Senatori Schumer mbështet blerjen e TikTok nga ndonjë kompani amerikane

Senatori Schumer mbështet blerjen e TikTok nga ndonjë kompani amerikane

Udhëheqësi i demokratëve në Senatin e SHBA-së, Chuck Schumer, të hënën bëri thirrje që një kompani amerikane të blejë aplikacionin në pronësi kineze, TikTok, në mënyrë që të mbrojë të dhënat e përdoruesve, duke thënë se “duhet të gjendet një mënyrë e sigurt që TikTok të vazhdojë”.

“Një kompani amerikane duhet ta blejë TikTok në mënyrë që të gjithë të mund ta përdorin atë dhe të dhënat tuaja janë të sigurta”, tha Schumer përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Kjo ka të bëjë me privatësinë. TikTok në Kinë, është subjekt i ligjeve të Partisë Komuniste Kineze, e cila mund të kërkojnë dorëzimin e të dhënave për qeverinë e tyre “, ka shkruar Schumer.

Më herët, komania Microsoft, gjiganti i teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, ka konfirmuar se është duke vazhduar bisedimet për blerje të operacioneve të aplikacionit kinez, TikTok në territorin amerikan.

Shefi i Microsoftit, Satya Nadella ka zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan, Donald Trump rreth kësaj çështjeje, ka thënë kjo kompani.

Microsoft ka theksuar se “vlerëson rëndësinë” e shqetësimeve të Trumpit për këtë aplikacion.

Kjo pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë ditë më parë se planifikon të ndalojë aktivitetin e këtij aplikacioni në SHBA.

Administrata amerikane thotë se të dhënat e përdoruesve të këtij aplikacioni mund të merren nga autoritetet kineze.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e aplikacionit.

Sipas një ligji kinez të vitit 2017, kompanitë kineze kanë një detyrim të mbështesin dhe bashkëpunojnë në punën e inteligjencës kombëtare të Kinës.