Fjalë Kyçe

Serbët kërkojnë shtim policësh në Gorazhdec për këtë arsye

Serbët kërkojnë shtim policësh në Gorazhdec për këtë arsye

Persona të maskuar me kapulaçe kanë shkruar në shtëpinë e një serbi në Gorazhdec , afër Pejës, grafitin “UÇK”.

Kështu ka kumtuar sot e ashtuquajtura Zyrë e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, por ky rast, është bërë e ditur edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, raporton Koha.net.

“K/Serb ka njoftuar se në afërsi të shtëpisë së tij e ka vërejtur një person të panjohur i cili ishte i maskuar. Pasi i dyshuari ka vërejtur ankuesin i njëjti është larguar në drejtim të panjohur. Më pastaj në derën e hyrjes ankuesi e ka parë një mbishkrim, që dyshon se e ka shkruar i dyshuari. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

Grafiti, sipas asaj që përcjell b92, është shkruar pak para mesnate e në kumtesë theksohet se banorët lokalë kanë kërkuar shtimin e pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

“Serbët në Gorazhdec dhe në pjesët tjera të Kosovës shpesh janë në shënjestër të sulmeve. Marrë para sysh se kjo përpjekje brutale e frikësimit ka ndodhur vetëm 24 orë pas vjedhjes së një lope në pjesën tjetër të fshatit, kërkojmë nga KFOR-i dhe nga Policia ta shtojnë praninë në këtë enklavë serbe”, thotë kumtesa, transmeton Koha.net.

Kumtesa përfundon me kërcënimin se “zyrtarët serbë kanë bërë qartë me dije se shteti i Serbisë nuk do të mbetet vetëm vëzhguese ndaj sulmeve kundër serbëve, por se do të dijë të përgjigjet në çdo përshkallëzim të dhunës në Kosovë”.