Se mes shqiptarëve dhe serbëve në veri të vendit ka dallime, kjo është thënë shumë herë.
E kohën e fundit, një dallim po bëhet edhe për ndërtimin e banesave.
Qeveria e Serbisë, ka ndërtuar dhjetëra banesa kolektive për serbët e Mitrovicës veriore.
Në këtë gjendje janë shumë shtëpitë të shqiptarëve në veriun e Mitrovicës.
Por, ndryshe nga shqiptarët, serbëve që jetojnë në lagjen “Kori i Vitakut” qeveria e Serbisë ua ka zgjidhur problemin e banimit.
Megjithatë ka disa shqiptarë që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë anë ku tensionet nuk janë ndalur që paslufta.
Bile në ballinën e shtëpisë një shqiptar e ka vendosur plisin që është simbol i shqiptarëve.
Është ky Ali Kadriu, i cili thotë se ka qenë i sulmuar fizikisht nga pjesëtarët e strukturave paralele serbe, por pavarësisht kësaj ky nuk u dorëzua.
Kadriu në oborrin e të cilin nuk mungon as flamuri kombëtar, thotë se pati edhe oferta edhe për ta shitur shtëpinë.
Edhe zëvendës kryesuesi i Kuvendit Komunal të Veriut, Bashkim Cimili thotë se qeveria e Serbisë po vazhdon të investoj në këtë pjesë, derisa shqiptarëve nuk po u japin leje ndërtimi institucionet komunale të kësaj ane.
Ndërkohë, në një përgjigje elektronike për T7, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thuhet se për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë, Komuna është kompetente për dhënien e lejes ndërtimore.
T7 ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zyrtarët e komunës së Mitrovicës së Veriut, për t’i pyetur se pse nuk po u japin leje shqiptarëve të t’i rindërtuar shtëpitë tyre, por këta të fundit nuk kanë pranuar të flasin.
Vite më parë, qeveria e Kosovës kishte ndarë një buxhet me të cilin ishin ndihmuar banorët shqiptar që të ndërtojnë disa shtëpi në pjesën Veriore të Mitrovicës.