Fjalë Kyçe

Serbia fillon prodhimin e vaksinës Sputnik-V

Serbia fillon prodhimin e vaksinës Sputnik-V

Të premten (4 qershor) në Serbi ka filluar prodhimi i vaksinës Sputnik V të Rusisë kundër COVID-19. Prodhimi bëhet nga Instituti shtetëror për virologji, vaksina dhe serume “Torlak” në Beograd.

Në ceremoninë e nisjes së prodhimit, përmes video-lidhjes morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin.

“Është një nder i madh për mua të lëshoj në prodhim vaksinën ruso-serbe. Ne po fillojmë prodhimin e 4 milionë dozave të vaksinës Sputnik V”, i tha Vuçiq homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Serbia është vendi i parë në Evropë që prodhon vaksinën Sputnik-V.

Ky vend i Ballkanit Perëndimor synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian por mban lidhje të ngushta me Rusinë. Në Serbi, përveç vaksinës Sputnik V, janë në përdorim edhe vaksinat tjera, ajo e Kinës “Sinopharm”, dhe ato perëndimore AstraZeneca dhe Pfizer.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) nuk i ka miratuar vaksinat kineze dhe atë ruse.

Edhe Argjentina kanë filluar prodhimin industrial të vaksinës Sputnik V të Rusisë.

Dozat e vaksinës Sputnik-V të prodhuara në Serbi dhe Argjentinë do të plotësojnë nevojat e brendshme të të dyja vendeve, para se të fillojnë eksportimin, ka njoftuar Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF), i cili është përgjegjës për tregtimin e vaksinës jashtë vendit.