Kërcënime për ndërhyrje në veri e fjalor i ashpër.
Ky ishte diskursi i përdorur kohëve të fundit nga zyrtarë të shumtë serbë, shkruan lajmi.net.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, javën e kaluar thoshte se Beogradi është i gatshëm të ndërhyjë ushtarakisht në veri.
Ai thoshte se kjo mund të ndodhë në rast të ndonjë sulmi ndaj serbëve të asaj pjese, ani pse një gjë e tillë nuk ishte paralajmëruar nga askush dhe se incidentet ndëretnike kanë shënuar rënie të dukshme.
Fjalor të njëjtë përdori edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq. Sipas tij ushtria dhe policia serbe është e gatshme të ndërhyjë në veri.
Pas më shumë se një javë heshtje nga Bashkimi Evropian, këta të fundit kanë folur për këto deklarata.
Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kocijançiq, është kërkuar që palët të përmbahen nga deklarata të tilla që mund të shkaktojnë një mjedis të disfavorshëm për paqe.
Sipas Kocijançiq, dialogu është e vetjma mënyrë dhe alternativë për të negociuar zgjidhjen mes dy vendeve.
“BE kërkon kontrollin e vazhdueshëm për palët që të sigurojnë një mjedis të favorshëm për rifillimin dhe intensifikimin e Dialogut të lehtësuar nga BE. Nuk ka alternativë për një zgjidhje të negociuar për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që trajton të gjitha çështjet e pazgjidhura të normalizimit”, thuhet në përgjigjen e Kocijançiq.
Të butë në deklarata ndërkaq ishin treguar zyrtarë nga Qeveria e Kosovës. Shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi kishte thënë për lajmi.net se Kosova që nga viti 1999 më nuk mirret me atë se çka thonë zyrtarët serbë.
Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, të martën pas mbledhjes së Qeverisë kishte thënë se Serbia po bën deklarata të tilla për shkak të problemeve të brendshme me protestat.
Siç ishte shprehur Haradinaj, Kosova nuk është e përfshirë fare në punët e brendshme të fqinjit të saj verior.