Fjalë Kyçe

Serbia miraton uljen e çmimit të roamingut për rajonin ku përfshihet edhe Kosova

Serbia miraton uljen e çmimit të roamingut për rajonin ku përfshihet edhe Kosova

Qeveria e Serbisë ka miratuar ditë më parë marrëveshjen për uljen e çmimit të shërbimeve të roamingut në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku është përfshirë edhe Kosova.

Kundër këtij vendimi ka qenë vetëm ministri përgjegjës për Inovacion dhe Zhvillim teknologjik, Nenad Popoviq.

Votimi, siç raporton e përditshmja serbe “Blic”, nuk ka shkuar pa shkëmbim të këndvështrimeve, ndërsa Popoviq ka thënë se në këtë moment nuk është i diskutueshëm nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, sepse autoritetet e Prishtinës kanë ngritur taksën ndaj mallrave serbe, gjë e cila ka sjellë deri tek bllokimi i dialogut Kosovë-Serbi, transmeton Koha.net.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, siç thotë burimi i “Blicit”, ka thënë se kjo është çështje e rëndësishme politike dhe se për të do të diskutohet edhe më tutje.

Marrëveshja për uljen e çmimit të shërbimit të roamingut në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që përfshin Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, por edhe Kosovën me fusnotë, forma politikisht korrekte e përfshirjes së Kosovës për Serbinë, do të duhej parafinuar më 4 prill në Beograd mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministrja serbe dje deklaroi se Serbia mbetet e përkushtuar në integrimet evropiane dhe në stabilitetin e rajonit, por theksoi se nuk është fer insistimi në nënshkrimin e marrëveshjeve të reja kur, sipas saj, “Prishtina nuk respekton disa prej marrëveshjeve themelore rajonale”.