Zëri i serbëve të Kosovës është shuar dhe të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim të një grupi politik, Listës Serbe, që nuk po bën asgjë pozitive për popullin serb, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në mandatin e kaluar qeveritar, Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresiste.
Ai thekson që Beogradi zyrtar po i përdorë serbët e Kosovës si instrument për pozicionim para dialogut, por edhe për arsye të tjera. Pavarësisht se të dyja palët janë në kurse të ashpra, Rashiq pret që së shpejti do të nisë faza përfundimtare e dialogut Kosovë-Serbi.
Zoti Rashiq, si mund ta përshkruani gjendjen në komunitetin serb në Kosovë, por edhe përfaqësimin e tyre politik në institucionet e Kosovës nga Lista Serbe, e cila merr pjesë në të dy nivelet e pushtetit, qendror dhe lokal?
Nenad Rashiq: Ajo që kanë bërë në vitin që po lëmë, nuk mund të matet në kuptimin pozitiv. Fatkeqësisht në kuptimin negativ, sepse janë shfrytëzuar si një mekanizëm, i cili në fund të fundit ka dashur, gjegjësisht, ka imponuar një politikë fatale për korrigjimin potencial, për ndarjen ose ndërrimin e kufijve, quajeni si të doni. Me vetë këtë ide, e ka dëmtuar dhe rrezikuar aq shumë serbët, sidomos në jug (të lumit Ibër), saqë tashmë po flasim për eksodin potencial që mund të ndodhë në qoftë se ajo ide fatale do të dalë në dritë apo të jetë në tavolinën e bisedimeve.
Prandaj, fatkeqësisht unë nuk shoh madje as një shembull pozitiv nga Lista Serbe, por shoh plotë shembuj negativ dhe ky është problemi ynë më i madh. Ky është problemi më i madh në veri të Kosovës, ku zëri jonë është shuar dhe ku të gjitha mekanizmat janë vënë në shërbim vetëm për një grupacioni politik, i cili fundja nuk punon asgjë pozitive për popullin serb.
Në dy raste gjatë këtij viti kemi parë që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb kanë bojkotuar institucionet e Kosovës. Në muajin mars Lista Serbe ka thënë se e ka braktisur Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, së fundmi 4 kryetarë të komunave veriore kanë dhënë dorëheqje. A kanë sjellë pasoja këto veprime?
Nenad Rashiq: Nuk e di se a mund të ketë kjo pasoja ligjore, por sa i përket pasojave politike, në këtë rast, me këta mekanizma, me një sistem të robëruar, i cili funksionon sipas një direktive që nuk është lokale, por më shumë është rajonale, mendoj që pasojat në këtë moment mund të jenë mjaft të kufizuara. Pse e them këtë? Fillimisht, pata thënë edhe më herët për atë se çfarë është më mirë, nëse e krahasojmë gjendjen e tanishme në Serbi – ku faktikisht të drejtat janë minimale – me atë këtu te ne (në Kosovë), ka qenë që këtu kemi pasur mundësinë që ta themi atë që mendojmë.
Kjo ka qenë e lejuar dhe vazhdon edhe sot. Këtu ka ekzistuar mundësia për tu shprehur, për të folur. Ndërkaq, në rastin e tanishëm, fatkeqësisht, të gjithë mekanizmat, e sidomos mekanizmat sikur stacionet televizive dhe mekanizmat tjerë, shfrytëzohen pikërisht për të mbjellë bindjen që, për shembull, ndarja është gjëja më e mirë që mund të jetë për serbët e Kosovës. Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, duke iu adresuar protestuesve serbë në këtë komunë, pas vendimit të kryetarëve të komunave veriore për të dhënë dorëheqje. 27 nëntor, 2018.
Që nga vendosja e taksës për mallrat serbe po bëhet një improvizim i kinse katastrofës humanitare, e cila në fund do të duhej të mundësonte që një pjesë e veriut të Kosovës të ndahet, të bashkohet ose korrigjohet. Çka do të thotë kjo? Mekanizmat që janë përdorur që të mos i lejojnë serbët e Kosovës që të flasin, janë të mëdhenj dhe mjaft të fuqishëm. Ajo që është më tragjike, të gjithë ato medie, jo vetëm në Serbi, por po flas edhe për mediat lokale në gjuhën serbe në Kosovë, janë gati se krejtësisht të varura nga ndihma financiare që marrin nga fondet e Republikës së Serbisë.
Kjo do të thotë që gati se të gjithë janë të detyruar që të jenë në shërbim të ideve të këqija, sikurse caktimi i kufijve, korrigjimi apo sido qoftë që i quani. Në çfarëdo rasti, kjo manifestohet në mënyrë katastrofale keq te serbët lokalë, të cilët, thjeshtë, më nuk kanë fuqi që të luftojnë përballë gjithë atyre mjeteve dhe gjithë atyre mekanizmave radikalë, të cilët për çdo ditë ndikojnë mbi ne, qoftë në mënyrë verbale, qoftë përmes ekraneve televizive, e madje përmes masave represive institucionale që përdoren ndaj qytetarëve.
A po mendoni që Beogradi, në këtë rast, po i shfrytëzon serbët e Kosovës si instrument për t’i krijuar vetes pozicion sa më mirë në dialogun e ardhshëm?
Nenad Rashiq: Absolutisht po dhe nuk është vetëm kjo vetëm për procesin e dialogut. I shfrytëzon edhe për shumë, t’i quaj gjëra me më pak rëndësi, sikurse ndikimi në sferën ekonomike në çfarëdo forme, në mënyrë që të përfitojnë që përfaqësuesit e Listës Serbe të jenë, më të afërt me ta. Shfrytëzohen aty ku Lista Serbe apo serbët e Kosovës mund të vendosen si mekanizëm vetëm për tensionimin e marrëdhënieve.
Në procesin e negociatave ose marrëveshjeve, gjithmonë është e lehtë për Beogradin që t’i shfrytëzojë serbët e Kosovës që këta të fundit të thonë ‘në rregull, ne nuk do të marrim pjesë në Kuvend, do ta rrëzojmë Qeverinë’ ose çfarëdo mekanizmi tjetër, vetëm që të arrijnë deri te konkretizimi i përpjekjeve të tyre, qoftë në kuptimin politik.
Por, unë them që madje shkojnë edhe një hap më larg. Këtu ka ndërlidhje edhe me ekonominë, të cilën ata mund ta shfrytëzojnë përmes mekanizmave të institucioneve të Kosovës. Në këtë pikë vijmë në përfundim që serbët janë vetëm mjet për planet e dikujt tjetër dhe për planet e dikujt që nuk jeton fare në Kosovë. Përveç atyre masave represive që po i përmendi dhe që Beogradi zyrtar po i përdorë përmes Listës Serbe, përgjegjësia nuk është fare më e vogël as e Prishtinës dhe e Bashkimit Evropian, sepse ata janë vëzhgues memec të asaj që po ndodhë në hapësirën e Kosovës dhe kjo është ajo që irriton. Duket se të gjithë po shoqërohen, për interesa të tyre dhe askush për interesat e serbëve të Kosovës dhe ky është zhgënjimi më i madh.
A prisni se do të ketë një qasje më të shpejtë drejt dialogut?
Nenad Rashiq: Mendoj që po. Pavarësisht që po duket që të dyja palët janë në kurse të ashpra, konsideroj që e gjithë kjo është me regji dhe se nuk është në esencë gjithçka ashtu. Edhe kjo letra e fundit që ka dërguar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, flet për atë që mbase dikush atje po e humbë durimin që të luajë me ne me vite dhe me dekada. Prandaj, mendoj që kjo më shumë është e imagjinuar dhe se po bëhet më tepër për nevoja të brendshme dhe se në përgjithësi nuk është ndonjë pengesë që do të mund të ishte problem për vazhdimin e dialogut.
Pra, kur të vlerësohet se janë pjekur kushtet për arritjen e një marrëveshje, ata shumë shpejt dhe lehtë do të ulen në tavolinë. Por, në këtë rast, do të jetë ndryshe nga takimet e tjera, për shkak se pres që në periudhën e ardhshme, kurdo që të caktohen takimet e ardhshme, ato do të jenë më të pakta në numër. Faktikisht, në rast se do të jenë një, dy apo eventualisht tri takime, në to do të bëhet një vendim. Përndryshe, nuk më pëlqen termi ‘marrëveshje finale’, sepse nuk është e tillë, por mund të quhet ‘fillim i marrëveshjes finale’. Për finalizimin e marrëveshjes do të duhen disa vite.
Kur flasim për normalizimin, gjegjësisht, siç do ta quaja unë, harmonizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, ai do të jetë një proces, sepse nuk mund të stabilizoni marrëdhëniet vetëm me një nënshkrim. Me nënshkrim ndoshta vetëm mund të fillohet normalizimi i marrëdhënieve. Vetëm pas kësaj duhet që në terren të bëhet pajtimi i vërtetë ndërmjet popujve. Natyrisht që për t’u pajtuar nevojitet një nivel i tolerancës, përgjegjësisë dhe mirëkuptimit për palën tjetër, në mënyrë që të arrihet një harmonizim apo paqe, sido që ta quajmë. Pra, me siguri se dialogu do të ndodhë së shpejti, në disa raunde dhe më pas neve na mbetet që ta zbatojmë ashtu qysh konsiderojmë se duhet të jetë në terren. Më e rëndësishëm është pajtimi në terren, ndërmjet njerëzve.
I përmendët letrat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, që u janë dërguar të dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, HashimThaçi dhe Aleksandar Vuçiq . Si i vlerësoni ato letra?
Nenad Rashiq: Në fakt, unë para katër muajsh kam qenë i pari që kam folur, duke u bazuar në përshtypjen që kanë lënë përmes “gjuhës së trupit” që ata (Thaçi dhe Vuçiq) tashmë kanë arritur marrëveshjen. Kështu më linte përshtypjen sjellja e tyre ndaj njëri-tjetrit, shtrëngimi i duarve, sikur të ishin marrë vesh për diçka. Në anën tjetër, nëse kjo është e saktë dhe nëse kam pasur të drejtë për këtë që thash, kjo do të thoshte që ata kanë biseduar në prapaskenë, larg syve të opinionit ose nuk i kanë dhënë opinionit asnjë informacion apo vetëm pak informacion. Prandaj, letrat e presidentit Trump mund të kuptohen në dy mënyra.
E para, është kjo që e them unë, se ata janë marrë veshë për një marrëveshje dhe Trump, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ka qenë i informuar për këtë dhe tash dërgon letër për të thënë ‘në rregull, ju tashmë keni biseduar dhe jeni marrë vesh për kornizat. Shkojmë tash tutje që t’i konkretizojmë dhe të nënshkruajmë marrëveshjen ose të shkojmë në periudhën e miratimit në Kuvendet e juaja apo në institucionet e juaja. Kjo është mënyra e parë.
Mund të jetë edhe e dyta, që mund të shpjegohet në mënyrën që themi se Trump nuk i di marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjegjësisht, nuk i di në detaje dhe se dikush nga administrata e tij ka propozuar për këto letra për të nisur dhe stimuluar bisedimet e mëtutjeshme. Do të më befasonte fakti, nëse dikush nga administrata e presidentit të Amerikës të bënte diçka të tillë që të dërgonte letër trimëruese për të dy presidentët. Prandaj, po të më duhej t’i ndajë në përqindje, mendoj që 80 për qind është opsioni i parë që e përmenda dhe 20 për qind opsioni i dytë.