Situata me Covid-19 në Kosovë është duke u përkeqësuar. Shqetësuese është rritja e numrit të mësimdhënësve të infektuar me këtë virus, e shkaku i kësaj nxënësit po humbin mësimet.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi sot ka pasur takim me drejtorët e Arsimit të komunave, me të cilët ka diskutuar për situatën me Covid nëpër shkolla.
Në një prononcim për Indeksonline, Ibrahimi tha se drejtorët shprehën shqetësim sa i përket procesit të rekrutimit të mësimdhënësve që po rezultojnë pozitiv me koronavirus.
“Shprehën shqetësim sa i përket procesit të rekrutimit të mësimdhënësve që po dalin me Covid-19, pasi që procedurat po marrin deri në 60 ditë, e për aq kohë Covid edhe po kalon. Nuk po ka kush me i zëvendësu edhe pastaj nxënësit po humbin. Drejtorët kërkuan që t’i gjendet “qare” mësimdhënësve që po infektohen, se pastaj kualiteti i mësimit nuk po është i dëshirueshëm”, u shpreh ai.
Tutje, Ibrahimi thotë se gjatë ditës së nesërme ose të hënën këtë kërkesë do t’ia adresojnë Ministrisë së Arsimit.
Ndër shqetësimet tjera është edhe, numri i mangët i mësimdhënësve në raport me numrin e nxënësve, si në Fushë Kosovë, Ferizaj, Prizren.