Fjalë Kyçe

Shahini: Qeveria i ka bllokuar 210 milionë euro, nga sektori privat vetëm po mbledh tatime

Shahini: Qeveria i ka bllokuar 210 milionë euro, nga sektori privat vetëm po mbledh tatime

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kritikuar Qeverinë Kurti se po i mban 210 milionë euro pa asnjë nevojë në bankë në vend se t’i vendosë në qarkullim në një kohë kur inflacioni është i lartë.

Shahini këtë e ka cilësuar keqmenaxhim të parasë publike.

Ai ka thënë se në kohën kur ka rritje të varfërisë, qytetarët kërkojnë grante dhe ndihmë për ta përballuar inflacionin e lartë në Kosovë.

“Bilanci tregtar i cili është i rregulluar me ligj e që duhet të jetë diku 4.5 për qind e Bruto Produktit Vendor, duhet të mbahet gjithmonë si garanci dhe në këtë rast ne kemi mbi 210 milionë euro të cilat më shumë dhe Qeveria nuk di çfarë të bëjë me to dhe i mban nëpër banka, e në anën tjetër varfëria rritet e qytetarët kërkojnë grante e ajo (Qeveria) në këtë kohë të inflacionit i mban në banka, pra kjo është keqmenaxhim i parasë e i taksapaguesve kosovarë”, ka thënë Shahini.

Duke folur për masat që do duhej të ndërmarrë Qeveria për t’i futur në qarkullim këto mjete, Shahini ka përmendur ndërtimin e fabrikave të cilat thotë se sjellin punësim të të rinjve.

“Në çdo sektor të jetës së qytetarit është vështirësuar mirëqenia sociale. Ne i kemi propozuar Qeverisë që në momentin kur ka bilanc tregtar më tepër, atëherë të rishikojë dhe të krijojë projekte privato-publike, në mënyrë që ato të investohen nëpër fabrika, ku punësohen, ku ato rigjenerohen në qarkullim të mjeteve dhe të punësimit e në rritjen e eksportit e assesi të merren paratë nga qytetarët e të mbahen në banka”, tha ai.

Kritika ka pasur edhe sa i përket mënyrës së shpërndarjes së parasë me Pakot e Rimëkëmbjes Ekonomike. Ai ka kritikuar mënyrën si janë ndarë 100 milionë euro, pasi sipas tij, kjo krijon pasivitet tek qytetarët.

“Qeveria e Kosovës do duhej që krijojë aso klime investive që në momentet e caktuara të jetë partner në sektorin privat e assesi të jetë vetëm tatimmbledhës nga sektori privat, dhe në anën tjetër taksat e qytetarëve nuk i menaxhon në investime publike. AKB-ja i ka propozuar Qeverisë që para se të ndajë mjetet taksapaguesve pa destinacion të rikthimit në qarkullim, mos të bëjë veprime të tilla sepse krijon dembellëk dhe krijon pasivitet tek qytetarët, por assesi zhvillim. Por sikur ato 100 milionë të herës së kaluar ta dëgjonte zërin e AKB-së kur kemi propozuar që ato të shpërndaheshin në 100 projekte nga 1 milion euro, do të hapeshin rreth 100 fabrika të reja e do të punësoheshin mbi 10 mijë qytetarë e do të ndalej trendi i ikjes së qytetarëve dhe do të rritej mirëqenia”, ka thënë ai.