Miliona përdorues të TikTok në SHBA nuk janë më në gjendje të shikojnë video në platformën e rrjeteve sociale pasi një ndalim federal për aplikacionin jashtëzakonisht popullor TikTok ka hyrë në fuqi.
TikTok u hoq edhe nga dyqanet e njohura të aplikacioneve, duke përfshirë ato të operuara nga Apple dhe Google, ndërsa platforma njoftoi se më nuk ishte e disponueshme.
Përdoruesit që hapën aplikacionin TikTok hasën në një mesazh pop-up që i pengonte ata të lëviznin videot ku shkruhej: “Më falni, TikTok nuk është i disponueshëm për momentin”.
“Një ligj që ndalon TikTok është miratuar në SHBA”, thuhej në mesazh.
“Fatkeqësisht kjo do të thotë që ju nuk mund të përdorni TikTok për momentin”, shtonte ai.
“Ne jemi me fat që presidenti Trump ka treguar se ai do të punojë me ne për një zgjidhje për të rivendosur TikTok sapo të marrë detyrën”, vazhdoi njoftimi, duke iu referuar premtimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump për të “shpëtuar” platformën.
Bëhet e ditur se kompania u tha përdoruesve të saj të qëndrojnë të sintonizuar.
Raportohet se opsioni i vetëm që mesazhi u jep përdoruesve amerikanë është mbyllja e aplikacionit ose klikimi i një opsioni tjetër që i çon ata në faqen e internetit të platformës, shkruan AP, përcjell Telegrafi.
Atje, përdoruesve u shfaqet i njëjti mesazh dhe u jepet opsioni për të shkarkuar të dhënat e tyre, një veprim që TikTok tha më parë mund të marrë ditë për t’u përpunuar.
Para se të dilte njoftimi, aplikacioni popullor tha në një mesazh tjetër për përdoruesit se shërbimi i tij do të ishte “përkohësisht i padisponueshëm” dhe kompania po punonte për të rivendosur shërbimin e saj në SHBA “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Por sa kohë platforma do të mbetet “e errët” është e paqartë.
Apple tha në një deklaratë në faqen e saj të internetit se aplikacionet TikTok dhe ByteDance nuk ishin më të disponueshme në SHBA, ndërsa vizitorët në vend mund të kishin akses të kufizuar.
“Apple është e detyruar të ndjekë ligjet në juridiksionet ku operon”, tha gjiganti i teknologjisë.
“Nëse i keni tashmë të instaluara këto aplikacione në pajisjen tuaj, ato do të mbeten në pajisjen tuaj. Por ato nuk mund të rishkarkohen nëse fshihen ose restaurohen nëse lëvizni në një pajisje të re. Blerjet dhe abonimet e reja nuk janë më të mundshme”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ndryshimi mund të ndikojë në performancën, sigurinë dhe përputhshmërinë me versionet e ardhshme të iOS dhe iPadOS.