Fjalë Kyçe

Shefi i CIA-s takoi homologun e tij rus

Shefi i CIA-s takoi homologun e tij rus

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, takoi më 14 nëntor në Turqi homologun e tij të inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin.

Sipas një zyrtari të Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, në këtë takim u nënvizuan pasojat nëse Rusia vendosë të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.

Ky zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Burns dhe Naryshkin nuk diskutuan për zgjidhjen ose marrëveshjen e luftës në Ukrainë.

Në këtë takim, sipas tij, Burns diskutoi gjithashtu edhe për çështjet e Brittney Griner dhe Paul Whelan.

SHBA-ja ka thënë gjatë verës se i ka bërë “ofertë” serioze Rusisë për lirimin e yllit të basketbollit, Griner, e cila u dënua në gusht të këtij viti me nëntë vjet burgim, pasi policia tha se i kishin gjetur vaj kanabisi në bagazhin e saj. Ndërsa Whelan është dënuar në vitin 2020 me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat për spiunim.

Persona, që kanë njohuri për këtë temë, kanë thënë se SHBA-ja ka kërkuar shkëmbimin e të burgosurve, duke ofruar që t’ia dorëzojë Rusisë tregtarin e dënuar të armëve, Viktor Bout.

Takimi Burns-Naryshkin shënon takimin më të lartë ballë për ballë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë. që para se presidenti rus, Vladimir Putin ,të urdhëronte pushtimin e Ukrainës.

Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.