Fjalë Kyçe

Shërbyesit civil të pakënaqur me Ligjin për Paga, paralajmërojnë këto veprime

Shërbyesit civil të pakënaqur me Ligjin për Paga, paralajmërojnë këto veprime

Ligji për Paga i miratuar në seancën e së shtunës në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur pakënaqësi të shumë sektorëve publik, e një nga ta janë edhe shërbyesit civil, të cilët nuk po pajtohen kurrsesi me këtë ligj.

Sindikata e Shërbyesve Civil do të dorëzoj edhe zyrtarisht kërkesën te presidenti i vendit Hashim Thaçi, për të kërkuar nga ky i fundit që mos t’a dekretojë Ligjin për Paga të miratuar në seancën e së shtunës në Kuvendin e Kosovës.

Kjo kërkesë do të dorëzohet sot ose më së largu në ditën e nesërme. Kështu ka thënë për Gazetën Alo, kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi.

Mirëpo, një kërkesë të tillë ka thënë se do t’iu dorëzohet edhe vendeve të Quint-it.

“Ne mbrëmë e kemi paralajmëruar kërkesën ndaj presidentit , kërkesa zyrtare do t’i shkojë presidenti sot eventualisht nesër , unë mendoj që edhe sot edhe do të njoftohen me këtë shqetësimin tonë por gjithashtu do t’i bëjmë kërkesë edhe vendeve të Quint-it, në mënyrë që edhe ata të ushtrojnë presion mbi Qeverinë, mbi Parlamentin e Kosovës që ky ligj të kthehet në rishqyrtim për sa I përket pjesës që ka të bëjë me shërbimin civil’, ka thënë Zymberi.

Ndërsa, duke hedhur akuza ndaj Qeverisë së vendit ku në shumë sektorë janë rrit pagat, Zymberi ka deklaruar se shteti mund të shkojë edhe në bllokadë  totale pasi që siç thotë ai, shërbyesit civil janë diskriminuar në Ligjin për Paga.

“Kur analizohen koeficientet në shërbimin civil del se shërbimi civil është degradua skajshmërisht dhe po shiqohet mundësia edhe e bllokimit total në Administratë Publike të Kosovës. Atëherë do ta shohim Qeverinë se si do ta organizon shtetin me shëndetësi, e me arsim me gjyqësi e me prokurori edhe të shohim a do të munden të bëjnë diçka pa shërbyesit civil’, ka deklaruar ai.

I pyetur se cilat veprime do t’i ndërmarrin nëse presidenti Thaçi e dekreton Ligjin për Paga dhe nuk merr parasysh kërkesat e tyre, Zymberi ka thënë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Por, ka shpjeguar edhe veprimet tjera nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos në favor të tyre.

“Nëse presidenti do ta dekreton këtë ligj ne do të marrim iniciativën që kjo çështje t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese , e nëse edhe Gjykata Kushtetuese do ta injoroj këtë kërkesë Administrata Publike tërhiqet dhe do të marr pushim të gjatë deri në rishqyrtim të kësaj çështje, ndryshe bllokadë totale do të ketë në institucione. Nuk janë të interesuar shërbyesit civil me vazhdu punën me këtë injorancë që I ka bërë Parlamenti I Kosovës, me të gjitha ato kontrabandime të koeficienteve nga secili sektor pa e përmend askush shërbimin civil ne jemi të interesuar me çdo kusht që të rezistojmë me të gjitha mjetet e mundshme sindikale për rëndësinë e pozitës tonë”, ka thënë ai për Gazetën Alo.

Ai , ka thënë se ka shumë pakënaqësi te shërbyesit civil saqë thotë se janë të interesuar që ta bllokojnë të gjithë punën.

Gazeta Alo, për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga presidenca se a do të merret parasysh kërkesa e shërbyesve civil, por se këtë të fundit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Dy Kryesitë e Sindikatave të Shërbimit Civil të Kosovës, mbrëmë përmes një reagimi për media kanë thënë se janë tejet të brengosura dhe shqetësuara jo vetëm me faktin se SHC si kategori e nëpunësve të shtetit të Kosovës u anashkaluan dhe injoruan gjatë kontrabandimit të koeficientave të përcaktuar në Ligjin për Paga, duke u trajtuar në koeficient si të ishin shërbëtorë të shtetit e jo ekspertë profesionistë dhe motor i shtetit./Gazeta Alo/