Fjalë Kyçe

“Shkatërruesi i bunkerave”, bomba amerikane që mund ta ndryshojë lojën me Iranin

“Shkatërruesi i bunkerave”, bomba amerikane që mund ta ndryshojë lojën me Iranin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Iranit përfshirjen aktive të Shteteve të Bashkuara në këtë konflikt. Arsyeja kryesore për këtë kërkesë të Tel Avivit, sipas Washington Post, është bomba amerikane GBU-57, e njohur si “shkatërruese e bunkerave”.

Kjo bombë jashtëzakonisht e fuqishme është shtysa kryesore e kërkesave të Netanyahut drejtuar Washingtonit, pasi mund të përdoret për të goditur objektivat bërthamore iraniane të ndodhura në thellësi të tokës.

Bomba GBU-57 – armë me peshë 13.6 tonë, e njohur edhe si MOP (Massive Ordnance Penetrator) – ka aftësinë të depërtojë në tokë dhe të shpërthejë me prezicion të lartë.

Megjithëse është bomba më e rëndë konvencionale në arsenalin amerikan, nuk është projektuar për të shkaktuar dëme në një zonë të gjerë. Komandantët ushtarakë mbështeten në saktësinë e saj të drejtuar përmes GPS-it për të goditur objektiva specifikë, të mbrojtur mirë, dhe për të shkatërruar ato që bombat normale konvencionale nuk arrijnë dot. Sipas ekspertëve, nuk ka të dhëna publike që kjo bombë të jetë përdorur ndonjëherë në luftime reale.