Fjalë Kyçe

Shkencëtarët shpjegojnë se pse njerëzit modernë kanë mjekër

Shkencëtarët shpjegojnë se pse njerëzit modernë kanë mjekër

Mjekrat e njerëzve anatomikisht modernë nuk vijnë nga forcat mekanike si përtypja, por rezultojnë nga një adaptim evolucionar, i cili e përfshin madhësinë dhe formën e fytyrës, sipas një ekipi të antropologëve në Universitetin e Iowas.

Duke e përdorur analizën biomekanike të fytyrës dhe kafkës në pothuajse 40 njerëz matjet e të cilëve varironin nga të vegjlit e deri tek të rriturit, ekipi i Universitetit Iowa konkludoi se forcat mekanike, duke e përfshirë përtypjen, duken të paafta për ta prodhuar rezistencën e nevojshme për krijimin e eshtrave të reja që do të krijohen në mandibulën e poshtme.

Përkundrazi, duket se shfaqja e mjekrës në njerëzit modernë u ngrit nga gjeometria e thjeshtë. Ndërkohë që fytyrat e njerëzve u bënë më të vogla në evolucionin tonë nga njerëzit arkaik sot – në fakt, fytyrat tona janë afërsisht 15% më të shkurtra se ato të neandertalëve – mjekra u bë një emblemë eshtërore e përshtatur në fund të fytyrës sonë.

“Me pak fjalë, nuk e gjejmë ndonjë dëshmi që mjekrat janë të lidhura me funksionin mekanik dhe në disa raste konstatojmë se mjekrat janë më të dobëta në rezistimin e forcave mekanike ndërkohë që rritemi. Në përgjithësi, kjo sugjeron se mjekrat nuk kanë të ngjarë të lidhen me nevojën për t’i zhdukur streset dhe tensionet dhe se shpjegimet e tjera kanë më shumë të ngjarë të jenë të sakta”, shpjegon dr. Nathan Holton, autori kryesor në studimin e publikuar në internet në Journal of Anatomy.

“Mjekra njerëzore është pasojë sekondare e ndryshimit tonë të jetesës, duke filluar rreth 80.000 vjet më parë dhe duke marrë hov me migrimin e njerëzve modern nga Afrika rreth 20.000 vjet më vonë”.

Shkencëtarët mendojnë se njerëzit anatomikisht modernë kanë evoluar nga grupet e gjahtarëve-mbledhësve që ishin të izoluara nga njëra-tjetra në grupe gjithnjë e më bashkëpunuese, të cilat i formuan rrjetet sociale në mbarë peizazhin.

Këto grupe më të lidhura duket se e kanë rritur shkallën në të cilën e kanë shprehur veten në art dhe mediumet e tjera simbolike.

Meshkujt në veçanti u bënë më të qetë gjatë kësaj periudhe, më pak kishin të ngjarë të luftonin për territor dhe gjëra, dhe ishin më të gatshëm të bënin aleanca, gjë që është evidentuar nga shkëmbimi i mallrave dhe ideve.

Ndryshimi në sjellje ishte i lidhur me nivelet e reduktuara të testosteronit, duke rezultuar në ndryshimet në rajonin kraniofacial mashkullor.

“Ajo që ne po argumentojmë është se njerëzit modernë e kanë pasur një avantazh në një moment që ta kenë një rrjet të lidhur mirë social, ata mund të shkëmbejnë informacion, dhe çiftëzohen më lehtë. Dhe që kjo të ndodhë, meshkujt duhet ta tolerojnë njëri-tjetrin. Duhej të kishte më shumë kureshtje se agresion, dhe dëshmia për këtë qëndron në arkitekturën e fytyrës”, tha bashkautori dr. Robert Franciscus, transmeton Koha.net.

“Studimi ynë sugjeron se paraqitja e mjekrës nuk ka lidhje me funksionin, dhe sigurisht ka më shumë të bëjë me dinamikën hapësinore gjatë zhvillimit”, tha dr. Holton.

*Shkencëtarët thonë se primatët, neandertalët dhe njerëzit arkaikë nuk posedojnë mjekër. Në fotografi paraqitet një njeri neandertal. (Mauro Cutrona)