Nga John McCallum/Rueters
Pas hulumtimeve shumëvjeçare, Instituti për Gjeografi Planetare, me seli në Schafhausen të Zvicrës, ka vërtetuar shkencërisht se kërthiza e Tokës gjendet në Kosovë, më saktësisht në vendin e quajtur Shirokë, afër qytetit të Suharekës, në një zonë që për një kohë është shfrytëzuar nga pjesëtarët austriakë dhe ata zviceranë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Instituti i Schafhausenit, në kuadër të hulumtimeve që kanë nisur në vitin 2009, kur në zonën e lartpërmendur për herë të parë janë vërejtur fenomene të pashpjegueshme natyrore, ka marrë prej lokacionit mostrat e dheut, gurëve dhe ujit, analiza e të cilëve kanë prodhuar dëshmi të pamohueshme se atë lokacion vërtet gjendet kërthiza e Tokës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtuesi i ekipit hulumtues të Institutit zviceran, profesori Mick Dartagni, tregoi për zbulimin në një konferencë për shtyp të mbajtur në Bazel, të hënën.
“Është një zbulim historik dhe shumë emocionues, patjetër. Kemi gjetur prova të pamohueshme në Kosovë për vendndodhjen e kërthizës së Tokës, një gjë që na hap horizonte të reja në studimet e gjeografisë planetare. Ky zbulim, gjithsesi, do të na detyrojë të korrigjojmë shumëçka në historinë e njerëzimit”, ka thënë Dartagni. “Është ky një hap i vogël për ne si institut, por është një kërcim gjigant për njerëzimin”, shtoi ai.
Profesori Dartagni shpjegoi tutje se në mostrat e analizuara të dheut dhe gurëve të Shirokës është gjetur antimateria unike solare, e cila provon se në kohën kur Toka u shkëput nga Dielli, në këtë vend ishte lidhja e fundit e mbetur – kërthizë. Sipas kësaj teorie, miliona vjet më parë, në kohën e Shpërthimit të Madh që i dha jetë Tokës, planeti ynë ishte ndarë nga ama – Dielli – por jo tërësisht.
“Toka ka mbetur e lidhur me Diellin edhe disa mijëra vjet me një nyje solare, përmes së cilës ka qarkulluar antimateria solare, një element kimik që sot nuk gjendet askund tjetër në Tokë, përveç në Kosovë, më saktësisht në Shirokë”, tha Dartagni.
Ai tutje shpjegoi se antimateria solare është e veçantë për shkak se ka rrezatim shërues për shumë nga sëmundjet deri më tash të pashërueshme, si dhe rinues të qelizave, ndërsa theksoi se ekipi i tij në Institut beson se bëhet fjalë për elementin e parë kimik në univers. “Thënë më saktë, kemi të bëjmë me elementin bazë të universit, atë që mund të quhet lirisht Zanafilla e Gjithësisë”, tha Dartagni, duke shtuar se nëse Zoti ekziston, atëherë ai nuk ka pasur nevojë të krijojë asgjë tjetër përveçse antimateries solare. “Të tjerat i ka krijuar vetë antimateria solare”, ka thënë ai.
Kërthiza mitike
Çështja e kërthizës së Tokës ka preokupuar njerëzimin qysh nga ditët e hershme të mendimit filozofik dhe fetar. Koncepti ka të bëjë me vendosjen e një qendre të Tokës, e cila njëkohësisht është menduar si qendër e universit. Disa vende është pretenduar se janë kërthiza e Tokës – përfshirë Kupolën e Shkëmbit, faltore islame në Jerusalem në të cilën gjendet Shkëmbi që besohet se është themeli i tokës dhe kërthiza e saj. Po ashtu, edhe Ajasofja në Stamboll konsiderohet prej disave si pikë qendrore, kërthizë e Tokës.
Megjithatë, zbulimi në Kosovë ka gjasa t’i fundosë të gjitha këto teori, meqë duket se provat e zbuluara kanë bindur jo vetëm ekspertët zviceranë, por edhe një numër historianësh dhe hulumtuesish të renomuar ndërkombëtarë.
Kështu, historiani Raymond Marlowe, nga Santa Barbara në Californi, thotë se zbulimi i kërthizës së tokës në Kosovë shpjegon shumëçka nga historia e njerëzimit.
“Gjithë ato luftëra në Ballkan, që nga koha e Romës antike e deri tek Perandoria Osmane dhe luftërat moderne të shekullit 20, kanë ndodhur në afërsi të këtij lokacioni, gjë që, për mua, është dëshmi se gjithmonë është besuar dhe dyshuar dhe menduar se aty, në Kosovë pra, ka diçka që nuk gjendet tjetërkund”, ka thënë Marlowe për edicionin e mbrëmjes të gazetës “Tombstone Epitaph”.
“Po ashtu, këta njerëz që jetojnë aty, këta shqiptarë, shihet se janë nën ndikimin e një rrezatimi të veçantë, një ndikimi të pashpjegueshëm. Ata, për shembull, kur janë në Kosovë janë më agresivë, më të palumtur, të parehatuar, të irritueshëm. Ndërsa kur janë jashtë Kosovës, sa më larg që janë më të qetë bëhen. Kjo mund të shpjegohet tani me faktin se kur janë në Kosovë janë nën ndikimin e antimateries solare, dhe ajo i bën më të shqetësuar”, tha Marlowe.
Për gazetarin veteran Carl Woodward, i cili i ka ndjekur zhvillimet në Kosovë qysh nga vitet 1970, zbulimi i antimateries sqaron shumëçka në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
“Deri më tash unë asnjëherë nuk e kam kuptuar pse është intervenuar në Kosovë ashtu si është intervenuar. Cili ishte motivi kryesor, sepse intervenimi humanitar, kjo ishte e qartë edhe atëherë, edhe sot, ka qenë një mbulesë për diçka tjetër. Tani, mendoj, e kuptojmë. Besoj që e gjithë kjo është ditur shumë vjet më parë, dhe vetëm tani zbulohet, pas hulumtimeve zvicerane, të cilat, të mos harrojmë, janë nxitur nga ngjarjet e vitit 2008, në Kampin e KFOR-it Casablanca, që ishte i vendosur pikërisht në vendin ku u zbuua antimateria, në Shirokë”, tha ai.
Misteri i Casablancas
Historia e Kampit Casablanca shihet qartë se qëndron prapa këtij zbulimi. Profesori Dartagni tregon se ajo edhe ishte një lloj nxitëse e gjithë hulumtimit.
“Shkurt, në vitin 1999, misioni i NATO-s e transformoi një ish-fabrikë jofunksionale, të quajtur ‘Damper’, në një kamp ushtarak, ku u vendosën ushtarë austriakë dhe zviceranë. Shkurt, pas vendosjes aty, nisën të ndodhnin disa gjëra të pashpjegueshme. Së pari, një ushtar zviceran, nga Kantoni i Lucernit, që vuante nga kanceri në mushkëri, u shërua pa shpjegim. Pastaj, një paqeruajtësi tjetër që ishte tullac, brenda një nate i dolën flokët e dendur e të gjatë. Kishte shumë ngjarje të pashpjegueshme, që raportoheshin nga Casablanca”, tregon profesori Dartagni.
Por gjithçka harrohej derisa nuk ndodhi një rast që nuk mund të injorohej nga askush.
“Një natë, diku në vitin 2008, një ushtar nga Herblingeni, që është fare afër Schafhausenit, i cili kishte treguar vazhdimisht se vuante nga disforia gjinore, pësoi një sulm kardiak derisa ishte në gjumë. Shumë shpejt, brenda 30 minutash, atë e dërguan në Spitalin Ushtarak në Prizren , dhe kur mbërriti aty, ajo që u zbulua gjatë kontrollit i shokoi të gjithë mjekët. Ushtarit i ishte ndërruar gjinia vetvetiu. Kur u këndell ushtari, edhe ai pësoi shok të rëndë, traumë madje, sepse kur kishte rënë në gjumë, një natë më parë, kishte rënë mashkull. Me të gjitha tiparet e mashkullit. Dhe tani, kur u zgjua në Spitalin Ushtarak gjerman, në Prizren, ishte zgjuar femër. Me të gjitha tiparet e femrës”, tregoi profesor Dartagni, përcjell Koha Ditore. “Brenda ditësh, një gjë e ngjashme u ndodhi edhe disa ushtarëve të tjerë – dikujt i ndryshonte një pjesë e pamjes fizike, dikujt i ndryshonte ndonjë pjesë specifike e trupit. Por gjithnjë ndryshimet që ndodhnin ishin diçka që këta njerëz në mënyrë të fshehtë kishin dashur t’u ndodhte”, tha tutje profesor Dartagni, duke elaboruar në detaje si dikujt i rriteshin pjesë të caktuara të trupit, kryesisht organet gjenitale, e dikujt i zvogëloheshin, për shembull hunda apo veshët.
“Ky ishte momenti kur u përfshi Instituti. Na ftuan nga Komanda e ushtrisë zvicerane dhe kërkuan që të shikojmë se çka po ndodh në Shirokë. Hulumtimi nisi dhe zgjati me vite, por ja ku na solli”, tha ai.
Bota çmendet pas kërthizës në Kosovë
Zbulimi i tillë, por edhe pretendimet për gjetjen e zanafillës së Gjithësisë, nuk kanë kaluar pa reagime të menjëhershme. Derisa një numër i madh shkencëtarësh dhe liderësh të botës së lirë perëndimore e kanë përshëndetur me entuziazëm njoftimin nga Instituti i Schafhausenit, ka në botë edhe të tillë që janë të pakënaqur. Negativisht kanë reaguar kryesisht krerët e disa feve, që kontestojnë origjinën e Gjithësisë dhe Tokës të përshkruar nga profesor Dartagni, derisa disa kanë mohuar se kërthiza e Tokës mund të jetë në Kosovë.
Reagim negativ pati nga komunitetet fetare të Jerusalemit, të cilat çështja e kërthizës së Tokës i bashkoi për befasinë e gjithë botës. Madje kryerabini i Jerusalemit, Aryeh Stern, dhe muftiu i madh i Jerusalemit, Muhammad Ahmad Hussein, dolën me një deklaratë të përbashkët, në të cilën insistojnë se “ajo që quhet kërthizë e Tokës, e që është gjeneza e njerëzimit, nuk mund të jetë diku tjetër përveç se në Jerusalem”.
Pakënaqësinë me zbulimin e shprehi edhe patriku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili tha se nuk ka gjasa që Zoti e ka vendosur kërthizën e Tokës në Shirokë. “Nëse kërthiza është në Kosovë, ajo mund të jetë vetëm në Manastirin e Deçanit apo në Patrikanën e Pejës, assesi në Shirokë”, ka thënë Irinej.
Ngjashëm reagoi edhe peshkopi i Kostandinopojës, Bartolomeu i Parë, i cili po ashtu insiston se “kërthiza nuk mund të jetë në Kosovë”, por tha se “ajo është në Kostandinopojë, dhe askund tjetër”.
Ekstremistë islamikë lëshuan një komunikatë, me të cilën e dënuan zbulimin, duke thënë se një materie që ndryshon gjininë e personit nuk mund të jetë produkt i Zotit, por vetëm i djallit. “Do ta godasim Shirokën me gjithë fuqinë që na e ka falur Zoti”, thuhet në një mesazh të postuar në një faqe që ndërlidhet me terroristët e ISIS-it.
Në botë pati edhe reagime politike. Liderë të ndryshëm reaguan, disa si të befasuar, disa të zhgënjyer, por disa edhe të ekzaltuar. Presidenti amerikan Donald Trump tha se gjithnjë e ka ditur që në Kosovë ka diçka të veçantë. “Jam i lumtur që një aleat i yni me forcë të vogël, por me zemër të madhe, po dëshmohet se është i përzgjedhur nga Zoti si vend i zanafillës. Tani e kemi obligim që ta bëjmë Kosovën të madhe, po ashtu”, ka shkruar Trump në një postim në Twitter.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se zbulimi i kërthizës në Kosovë “është një moment i shkëlqyeshëm që të kalojmë nga retorika negative në rajon drejt së ardhmes pozitive”, ndërsa presidenti francez, Emannuel Macron, ka përshëndetur zhvillimet e reja në Republikën e Kosovës, duke theksuar se “tani është koha që të rimendojmë politikën tonë të dyerve të mbyllura për kosovarët”, shkruan Koha Ditore. Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se “më në fund, kemi arsye për të ngritur një dolli edhe për Kosovën”, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, deklaroi se shpreson që zbulimi i kërthizës së Tokës në Kosovë do të ndikojë në heqjen e taksave ndaj mallrave të Serbisë dhe në vazhdimin e dialogut.
I ekzaltuar me zbulimin është treguar edhe presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan. “Tani edhe bota e kuptoi se vëllai ynë i vogël në Ballkan është në fakt Tokë e Shenjtë. Unë këtë e kam ditur gjithmonë”, ka thënë Erdogan në një miting zgjedhor në qytetin e Bursës.
Por ndryshe ka reaguar presidenti rus, Vladimir Putin, për të cilin edhe në këtë rast bëhet fjalë për një manipulim nga Perëndimi. “Nëse në Kosovë është kërthiza, e në Perëndim është mendja, çka ka në Rusi atëherë?”, ka thënë Putin, duke shtuar: “Kjo është e papranueshme… do ta kundërshtojmë me veto në Këshillin e Sigurimit”.
Plot mllef ishte reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “E kam ditur gjithmonë që agresioni i perëndimit ndaj tokës së shenjtë serbe ka pasur një qëllim krejt tjetër prej atij që është deklaruar. Ata e kanë ditur që toka e Kosovës ka një pasuri të veçantë, dhe nuk është e rastit që pikërisht në atë zonë ku tani është zbuluar kërthiza e Tokës dikur gjendej një bazë ushtarake e NATO-s”, ka thënë Vuçiq.
Kosova, megjithatë, mbetet Kosovë
Në Kosovë reagimet ishin kryesisht pozitive.
Presidenti Thaçi tha se “i vjen mirë që sugjerimet e tij janë marrë parasysh” nga Instituti zviceran. “Pa modesti e them se e gjithë kjo është meritë edhe e imja. Unë edhe kam studiuar në Zvicër, edhe kam punuar atje, por edhe jam i pari që e kam lejuar KFOR-in zviceran të vendoset në Shirokë, duke e dikur se aty do të ketë zhvillime shumë pozitive për vendin. Urime Kosovë!”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.
Ndërsa kryeministri Haradinaj tha se “e gjithë kjo është edhe një dëshmi për ndryshimet pozitive në qeverisjen e vendit”.
“Jemi dëshmitarë se qeverisja e mirë, e menduar mirë, me synime të mira, për vendin, gjithmonë sjell rezultate të mira. Unë jam i përkushtuar me ec tutje, pa asnjë dilemë, me apo pa opozitën, me apo pa partenërt në qeverisje, për me e nxjerrë materien që është zbuluar aty në Shirokë, për me e përdorë për të mirën e venit”, tha Haradinaj, i cili më pas mbajti mbledhjen e Qeverisë, ku u miratua vendimi për themelimin e Agjencisë Shtetërore për Menaxhim me Zbulimet e Reja, në krye të së cilës u emërua nënkryetari i deritanishëm i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Opozita reagoi duke falënderuar Institutin zviceran, por duke shprehur njëherësh edhe brengën për mundësinë e keqpërdorimeve me zbulimin.
“Fakti që zbulimi gjendet në territorin e një komune e cila udhëhiqet nga partia e kryeministrit mjafton për brengosje serioze”, tha kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.
“Është shumë e dyshimtë që zbulimi ndodhi pikërisht në këtë moment, kur Qeveria veç ishte në rënie, ndërsa presidenti po bën pazar me kufijtë e shtetit”, ka thënë shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca. “A nuk ju duket juve kjo shumë e dyshimtë, a?!”.
Për PSD-në, gjithçka është rezultat i politikës së tyre të moderuar dhe konstruktive. “Ne kemi thënë edhe më parë, kur diçka është e mirë për vendin, e votojmë. Tani, edhe kjo është e mirë për vendin, dhe i ftojmë edhe dy partitë e tjera opozitare që ta përshëndesin zhvillimin, e jo të kalkulojnë për hesape të veta”, tha Dardan Molliqaj i PSD-së.
I heshtur, deri në momentin e fundit, u tregua kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai ka reaguar i fundit nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se partia e tij në vazhdimësi i ka mbështetur përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta ndihmuar Kosovën. “Ama, po më vjen pak si me qesh kur po i shoh disa kty që deri dje dojshin me përzanë ambasadorin e Zvicrës, e sot po çohen peshë sikur ata me pasë gjetë atë farë materien. Nuk asht mirë ashtu kolegë, se edhe ata kanë familje, edhe ata kanë fëmijë… çka me ju thanë ata fëmijëve të vet, kur pyesin pse në Kosovë një dit i shajnë, e ditën tjetër i lavdojnë. Tregohuni të pjekur e seriozë, se nuk asht momenti për poena politikë”, tha Veseli, duke nxitur një debat me 23 deputetët e pranishëm në seancë.
#Kosova trending
Zbulimi i kërthizës në Kosovë ka bërë bujë në rrjetet sociale. Është tema më e diskutuar e ditës, e cila ka shkaktuar çdo lloj reagimi e emocioni të mundshëm – prej mllefit e agresivitetit, deri tek kënaqësia dhe dashuria.
Disa grupe të njohura si ekstreme të djathta kanë kërkuar që Kosova të izolohet, ashtu që efekti i antimateries të mos përhapet jashtë kufijve të Kosovës. Disa të tjerë kanë thënë se zbulimi i antimateries është në fakt shpëtim për njerëzimin, dhe se Kosova tash e tutje duhet të konsiderohet si vend i shenjtë dhe pikë qendrore për të ardhmen e gjithë njerëzimit.
Turizmi në Shirokë
Derisa debati vazhdon në të gjitha anët, pushteti lokal në Komunën e Suharekës tashmë ka hartuar planet për të shfrytëzuar momentin e papritur. Sipas administratës komunale, numri i turistëve në Shirokë pritet të shumëfishohet brenda ditësh, andaj dhe është nevojë urgjente që të shtohen kapacitetet hoteliere dhe turistike të qytetit dhe rajonit.
“Nesër presim me na ardhë ni milion veta, edhe s’kemi ku i presim. Na duhet ven për me i rahatu musafirët, na duhet bukë për me i ushqy, ujë, lëngje… edhe çaj besa. I kemi tregu kryetarit se s’kemi boll çaj të rusit, e duhet me pa tash ku me marrë”, tha një zyrtar komunal, që foli me kusht anonimiteti. “Fort presion po bahet, edhe nuk pe dijmë se qysh kena m’i dalë n’krye”.
1 Prilli